Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për ndihmë ndaj të dyshuarit për vrasjen e policit serb.
Të arrestuarit dyshohen se kanë transportuar Faton Hajrizin nga Presheva për në Loznicë.
Asistent Drejtori i Policisë së Serbisë, Dragan Vajisleviq, pas vizitës së tij në spital ku po qëndron i shtrirë polici serb që është plagosur, ka treguar versionin e policit të plagosur për mbrëmjen e kaluar .
Sipas tij policët gjatë kontrollit kanë vërejtur një veturë me targa turke që për ta ishte e dyshimtë.
“Kanë parë një ‘Mercedes’ me targa turke. Për ta ka qenë e dyshimtë, kanë ndjekur mjetin, kanë ndezur dritat. Makina ndaloi një kilometër e gjysmë më tutje. Policët kanë dalë nga vetura dhe kanë kërkuar dokumente personale, ka qenë kontroll rutinë”, tha Vasiljeviq.
Sipas tij ata fillimisht dolën nga vetura duke përfillur rregullat. Ai tha se udhëtari që doli ishte duke buzëqeshur dhe nuk dinte serbisht
“Ai tregon se nuk ka pasur të shtëna menjëherë, ndërsa shoferi dhe pasagjeri kanë siguruar dokumentet e tyre personale. Duke respektuar rregullat, policia ka kërkuar që të zbresë një person – pasagjeri, ndërsa personi tjetër ka mbetur në automjet. Udhëtari doli, sillej normalisht në gjestikulacion, ishte i buzëqeshur, polici Iliq ishte në anën e majtë, në zonën e shoferit për ta mbajtur nën kontroll. Menjëherë pas fillimit të kontrollit të fytyrës janë dëgjuar të shtëna, ka qenë në pjesën e pasme të veturës“, Vasiljeviq.
Ai thekson se sulmuesi ka qëlluar disa herë në drejtim të policit Iliq dhe e ka goditur në shpatullën e djathtë.