Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), ka kumtuar sot se luftëtarët e tij e kanë kryer sulmin, nga i cili dje janë vrarë dhjetëra egjiptianë të krishterë.
Në faqen Amaq në Internet, që është krah propagandues i IS-it, theksohet se “sulmi është kryer dje në Minya, me ç’rast në shënjestër të tij ishte autobusi me koptë dhe janë vrarë 32 prej tyre”.
Zyrtarët e Egjiptit kanë thënë se sulmi kishte ndodhur derisa personat e krishterë koptë udhëtonin me autobus për në një manastir afro 200 kilometra në jug të kryeqytetit Kajro.
Qeveria e Egjiptit ka njoftuar se janë vrarë 29 vetë, ndërsa 13 persona gjenden në spital.
Disa orë pas sulmit, presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, ka shpallur se Egjipti ka filluar sulme ajrore kundër bazave stërvitore të militantëve në Libi.
Ushtria e Egjiptit tha sot se nga sulmet ajrore të saj mbi Libi janë shkatërruar disa kampe stërvitore të militantëve përgjegjës për sulmin kundër koptëve.