Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë po përpiqen të ofrojnë siguri shtesë për klerikun më të lartë islamik të vendit, Myftiun e Madh, Husein Kavazoviq, pasi një boshnjak, i cili mendohet se lufton me grupin militant Shteti Islamik (IS) në Siri, ka lëshuar një kërcënim për të përmes internetit.
Në klip, militanti Amir Selimoviq zotohet se “do ta presë në fyt” Myftiun e Madh dhe paralajmëron, përpara një flamuri të Shtetit Islamik, se “muxhahedinët po vijnë në Bosnje”.
Kërcënimi dhe serioziteti me të cilin zyrtarët po e trajtojnë atë, nxjerrin në pah frikën se disa pjesë të Bosnjës po bëhen vatra për militantët islamikë, si dhe shqetësimet e ndërkombëtarëve rreth mundësive operacionale të Shtetit Islamik dhe të grupeve të tjera ekstremiste.
Selimoviq thuhet se ka qenë anëtar i Ushtrisë Myslimane të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-95. Besohet se luftëtarëve islamikë në Siri u është bashkuar më 2014.
Fshatarët nga vendlindja e tij, Svojat, pranë qytetit të Tuzllës, e përshkruajnë atë si njeri të mbyllur, por që ka pasur problem me alkoolin përpara se të bëhej radikal. Ata thonë se Selimoviq “është zotuar se do të bëjë diçka, për të cilën gjë do ta kujtojë e gjithë Bosnja”.
Një banor thotë se Selimoviq, derisa ka “lypur para” dhe “ka shitur gjithçka” për të blerë alkool, nuk ka paraqitur rrezik dhe nuk ka ngacmuar askënd.
Por, sipas disa dëshmitarëve, sjellja e tij ka detyruar gruan e tij të marrë dy fëmijët dhe të largohet, përpara se Selimoviq t’iu bashkohej myslimanëve vahabistë dhe të rimartohej me një grua konservatore nga qyteti Travnik i Bosnjës.
“Ajo ka ardhur këtu, e mbuluar me vello islamike, vetëm sytë i dukeshin”, tregon një fshatar, duke shtuar se Selimoviq dhe gruaja e tij janë larguar në vitin 2014 me djalin e tyre foshnje.
Burime të afërta me Selimoviqin kanë treguar se ai është rekrutuar për Shtetin Islamik nga një kushëri i tij, i cili është raportuar se është vrarë në Siri në fund të vitit të kaluar.
Një grua nga fshati Svojat thotë se Selimoviq, përpara se të largohej për në Siri, ka vizituar fshatin pranë Graçanica, ku besohet se mblidhen anëtarë të komunitetit vahabi.
Një komunitet i fshehtë vahabist në një fshat verior të Bosnjës, Gornja Maoca, ka qenë i lidhur me terrorizëm në të kaluarën.
Kavazoviq, Myftiu i Madh i cili është cak i kërcënimeve të Selimoviqit, ka dënuar vazhdimisht ekstremizmin islamik dhe radikalizmin e myslimanëve të Bosnjës.
Ministri i Sigurisë i Bosnjës, Dragan Mektiq, ka thënë se kërcënimi është serioz dhe se shteti është duke marrë masa shtesë të sigurisë për të mbrojtur Kavazoviqin.
Zyrtarët në Bosnje, Kosovë dhe Serbi kanë bërë përpjekje të luftojnë pjesëmarrjen e shtetasve të tyre në konfliktet jashtë vendit, përfshirë Irakun dhe Sirinë, ku Shteti Islamik kontrollon territore të mëdha dhe kryen vrasje brutale dhe krime të tjera.
Autoritetet thonë se së paku 26 nga rreth 200 boshnjakë që u janë bashkuar grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak, janë vrarë dhe se rreth 50 të tjerë janë kthyer në shtëpi.
Myslimanët përbëjnë 40 përqind të popullsisë gati 4-milionëshe të Bosnjës./REL