
Ismaili, përmës një shkrimi në Facebook thotë se situata dhe gjendja momentale politike në Kosovë po “ia huq sakrificës së dëshmorëve”.
“Edhe në momentet si këto, sa fort lakmoj, o sa fort, që nuk jam në vend të atyne që kanë ra, e që nuk e shohin se sa shumë ia kemi huqë sakrificës së tyne. E kjo, në një mënyrë, edhe më ngushëllon, kur e di se ata janë në një vend shumë ma të mirë, sesa që jemi na”, ka shkruar Ismaili.
Deputeti i VV-së më tej rrëfen kohën kur kishte vendosur t’i bashkohej luftës për clirimin e Kosovës, 17 vjet më parë.
“Nuk e harroj, kur u pata nisë prej Londre, sa u pata tutë, sa u pata mërzitë, sa herë i kam ra vetes shpulla gojës, që thashë se po shkoj, e burrat s’i ndryshojnë fjalët, e sa nuk e kam pasë idenë se ku po shkoj, veç e dij se, kush më pat thirrë me m’thanë mos me shkue, apo u pat brengosë, i pata thanë që s’po shkoj me vdekë, por me u kthye e me e gëzue lirinë bashkë”, theksoi deputeti i partisë më të madhe opozitare.
Ismaili në kohën kur filloi lufta në Kosovë gjendej në Mbretërinë e Bashkuar ku jetonte prej rreth 10 vitesh, e që më pas kishte marrë vendim të kthehej e ti bashkohej luftës së UCK-së.
Ai ishte pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. /Insajderi.com