Kushtet që Kosova ofronte për personat me aftësi të kufizuara para 8 viteve, nuk i plotësonin kërkesat e të riut me prejardhje nga Istogu, Endrit Blakaj.
Blakaj vjen nga fshati Llukafc i Begut por jeton në Itali, arsyeja pse ai shkoi atje ishte pamundësia e qasjes në klasën e parë për shkak të infrastrukturës së dobët që kishte shkolla.
“Klasen e parë e kam filluar pak me vonesë për shkak të kushteve të shkollës se nuk ka pas hymje të posaçme për njerëz me nevoja te veçanta”, tha Blakaj për Insajderin
Arsyeja pse ai zgjodhi Italinë për të jetuar lidhej me vizitat e shpeshta mjekësore atje që nga lindja, pasi Blakaj është i diagnostikuar me “spina bifida mielomeningocele”, që është deformim i lindur në shtyllën kurrizore dhe në palcën kurrizore.
“Unë i kam pritë dokumentat për me ardhë në Itali, ndërkaq familja ime insistoj për me fillu klasën e parë në moshën 7 vjeç e gjysmë në mars të atij viti i kalova vetëm 6 muja aty, në moshën 8 vjeçare erdha në Itali. Kjo sepse unë edhe ashtu prej lindjes mjekimin e kam bërë në Itali”, tha ai për Insajderin.
Italia u bë ”strofulla” e sukseseve të Endrit Blakaj
I riu tregoi se në Itali kur filloi shkollimin nuk u përball me paragjykime, ndihej i barabartë me të gjithë të tjerët.
Atje vazhdoi shkollimin për 11 vite në drejtimin e kontabilitetit dhe menaxhimit të bizneseve. Pavarësisht shkollimit, Blakaj u mor edhe me aktivitet sportiv.
“Me sport kam fillu menjëherë kur kam ardh ne Itali me shoqatën “Icaro Sport Disabili” fillimisht kam fillu me Tennis e Basketboll, por, Basketi më ka pëlqy më shumë. Kam vazhdu ka hec shumë mirë kemi realizu ndeshje me pothuajse të gjitha skuadrat qe janë në Itali”, shpjegoi 19 vjeçari për Insajderin
Kështu, pas suksesit të treguar në palestrën e basketbollit, Blakajt ju dorëzua edhe një ftesë nga Federata Italiane e Basketbollit që ai të jetë pjesë e kombëtares së Italisë. Por, pandemia prishi planet dhe Blakaj u përball edhe me një lëndim trupor për të cilin po mjekohet akoma.
“Më ka ardhë një ftesë prej Federacionit Italian të Basketbollit, për me luajt për kombëtare të Italisë por , ke pandemia e u blloku çdo gjë, pastaj edhe unë pata do probleme shëndetësore e tash deri të rikuperohem ngadalë”, tha basketbollisti me prejardhje nga Kosova.
Gjendja e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë e “mjerueshme”
Blakaj gjithashtu shpjegoi edhe gjendjen aktuale të infrastrukturës në Kosovë dhe mundësitë që gjeti në Itali.
Blakaj tha se infrastruktura ka pak përmirësime nga koha që kur është larguar nga Kosova, por, përsëri në disa institucione e biznese gjendja është e njëjtë.
“Unë në Kosovë vi vetëm në pushimet që i kam në verë dhe në stinën e dimrit, sa e kam pa gjërat elementare janë katastrofë, duke u nisur nga trotuari i papërshtatshëm. Ka rrugë ku të mundësohet të lëvizësh me karrocë, por, më pas ske mundësi me zhdryp nga atje”, tha i riu.
Sipas tij gjendje përafërsisht të njëjtë kanë edhe lokalet në Kosovë. Me këtë problem përballet sidomos në sezonin e dimrit.
“Lokalet shumica kanë shkallë dhe jo hapësire për personat me nevoja të veçanta. Dimrit e kam shumë problem për lokalet kur dalim me miq, pasi verës ekziston mundësia e qëndrimit në terasë”, potencoi Blakaj për Insajderin.
Pavarësisht shkollimit që mund të bëjnë personat me aftësi të kufizuara në Kosovë, mundësia e punësimit në 99% të rasteve sipas Blakajt është e vogël
“Pa marrë parasysh çfarë problemi ke në shëndet edhe nëse e përfundon shkollën, 99% të rasteve nuk punësohesh, nuk të ofrojnë punë që ti mund ti bësh. Kushtet janë kësi lloji në Kosovë”, tregoi Blakaj për Insajderin.
Megjithëse Blakaj u përball me probleme shëndetësore që nga lindja ai prapë se prapë mendon që nëse vullneti nuk mungon, suksesi është i garantuar.
Njëkohësisht ndihma më e madhe dhe produktive që mund të kenë personat me nevoja të veçanta sipas tij është përkrahja nga familja.
“Përkrahja e familjes ndikon gjithmonë pozitivisht në sfidat e mëdha në jetë që i kanë personat me nevoja të veçanta. Duhet me i marrë pozitivisht dhe me tejkalu secilën sfidë që e kemi përballë, sikur në sport sikur në çfarëdo pune në jetë”, tha për fund Blakaj