×
Analiza

Iternerari i gjatë i “Gjarprit” nga lufta tek gjyqi

Insajderi
30 December 2020 - 16:21
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Lufta dhe UÇK-ja shënjojnë dy skajet e rrugës së përshkuar nga Hashim Thaçi si figurë ushtarake dhe politike në 23 vitet e fundit.

Eros Klaiqi

Javët e fundit kanë rikthyer sërish në vëmendje një sekuencë nga takimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden, të realizuar më 2010 në Uashington.

Pjesa e shkëputur e klipit të realizuar nga pritja e Thaçit në Shtëpinë e Bardhë, në të cilin Biden e krahason Thaçin me presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Uashington, ka mbipopulluar rrjetet sociale.

“E shihni këtë fotografi mbrapa meje, është Xhorxh Uashington”, thotë Biden, para se të bëjë një krahasim mes figurës së presidentit të parë të ShBA-ve me atë të ish-kryeministrit të Kosovës. “Ky këtu është Xhorxh Uashingtoni i Kosovës”.

Videoja po qarkullon në internet si pjesë e një fushatë të udhëhequr nga akterë politikë, e aktivizuar me synim solidarizimin e Thaçit dhe gjashtë ish-pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë tash e rreth dy muaj.

Kur ka kaluar një dekadë nga takimi Biden-Thaçi në Uashington, ish-presidenti i Kosovës ndodhet në një realitet tjetër sot.

Nga glorifikimi i figurës së tij në Shtëpinë e Bardhë dhe pushteti që kishte mbajtur për 13 vjet, Thaçi tani është vënë përball fillimit të një procesi gjyqësor ndaj tij në Hagë.

Ish-presidenti, që kishte shërbyer në pozitat më të larta shtetërore nga viti 2007, qëndroi në pushtet deri më 5 nëntor të këtij viti.

Të premten e parë të nëntorit, Thaçi dha dorëheqje nga pozita e shefit të shtetit. Dorëheqjes i parapriu një aktakuzë për krime lufte e ngritur ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, e ngritur në qershor të 2020-s por e konfirmuar më 5 nëntor, akuzon atë për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në Kosovë dhe Shqipëri.

Në fjalimin dorëheqës, Thaçi u tregua bashkëpunues me Gjykatën Speciale, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie të trazuar.

“Nuk do të lejojë që para gjyqit të dal si president prandaj për të mbrojtur integritetin e shtetit unë sot jap dorëheqje”, tha ai në një konferencë për media të mbajtur në oborrin e Presidencës.

Ish-udhëheqësi i Drejtorisë Politike të UÇK-së iu dorëzua atë ditë autoriteteve të Gjykatës Speciale në selinë e EULEX-it në Prishtinë, para se një avion që tre të akuzuarit e tjerë në Hagë me një avion ushtarak.

Që nga themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës më 2015 deri në njoftimin e aktakuzës së ngritur ndaj tij më 2020, Thaçi mbajti qëndrime të luhatshme kundrejt gjykatës.

Ndonëse mbështeti themelimin e saj në vitin 2015, ai e cilësoi “totalisht demokratike” nismën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në dhjetorin e vitit 2017.

Madje, Zyra e Prokurorit të Specializuar, në njoftimin për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, akuzoi Thaçin se ka kërkuar të minojë punën e gjykatës. Vetëm disa kohë më vonë, ai do të theksonte se gjykata “nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”.

Drejtimi politik i UÇK-së

Lufta është shënjuese e dy skajeve të kundërta të rrugës së përshkuar nga Hashim Thaçi si figurë ushtarake dhe politike.

I lindur në Burojë të Skenderajt, formimi i Hashim Thaçit si figurë politike nisi në prag të luftës së Kosovës, më 1997.

Pasi ishte angazhuar në lëvizjen studentore përgjatë viteve 1990 deri më 1993 kur pushteti i Beogradit kishte mbyllur të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, Hashim Thaçi kishte vazhduar studimet në Zvicër.

Nga atje, ishte kthyer për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1997. Atë vit do të merrte nën udhëheqje Drejtorinë Politike të UÇK-së. Pozitë në të cilën do të mbetej deri në qershor të 1999-s.

Në luftë, Thaçit i ishte vendosur nofka “Gjarpri”, për shkak të aftësisë së tij për t`iu shmangur arrestimit nga regjimi serb.

I pyetur në lidhje me aktivitetin e tij luftarak nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Euro News” më 2014, Thaçi kishte thënë se roli i tij në luftën çlirimtare nuk ka qenë në vijën e parë të frontit.

“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe”, kishte thënë Thaçi kur ishte pyetur nëse ka vrarë vetë ose ka dhënë urdhër për të vrarë dikë.

Në fillimin e vitit 1999, ishte lideri i ekipit negociator të shqiptarëve në Kosovës në takimin e Rambujesë, në të cilin ndërkombëtarët i ofruan shqiptarëve dhe serbëve një plan paqeje. Ky plan u nënshkrua nga pala shqiptare por u refuzua nga ajo serbe.

Marrëveshja e Rambujesë rezultoi me intervenimin ushtarak të NATO-së dhe bombardimin e Serbisë në një fushatë ushtarake të nisur në mars, e të përfunduar suksesshëm në qershor të 1999-s.

13 vitet e pushtetit të Thaçit

Më 1999, Thaçi u bë kryeministri i parë i Kosovës. Udhëhoqi qeverinë e përkohshme deri në vitin 2001, kur Partia Demokratike e Kosovës – të cilën e themeloi më 1999 – i humbi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, zgjedhjet e para të pasluftës.

Zgjedhjet parlamentare përball LDK-së së Ibrahim Rugovës i humbi edhe në 2004-n.

Ndërkaq, nga viti 2005 deri më 2007, ai ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës.

Më 2007, PDK-ja fitoi zgjedhjet dhe Thaçi u bë sërish kryeministër. Tre muaj më vonë, në shkurtin e 2008-s, ai lexoi në Kuvendin e Kosovës deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Por, qeveria e tij nuk e përfundoi mandatin 4-vjeçar, për t’u zhbërë në vitin 2010.

Po atë vit, PDK-ja me në krye Thaçin fitoi sërish pushtetin, të cilin e mbajti si kryeministër deri në 2014-n. Vendin e çoi në zgjedhje vetëm disa muaj para se qeverisë ‘Thaçi 2’ t’i përfundonte mandati.

Një fitoreje tjetër të zgjedhjeve nga PDK-ja në 2014-n, i pasoi kriza 6-mujore politike në vend si pasojë e bllokut opozitar (VLAN), të përbërë nga VV-ja, LDK-ja, AAK-ja e Nisma. Ky bllok refuzonte bashkëpunimin me PDK-në e Thaçit.

Mirëpo, për shkak të rrethanave politike, LDK-ja e Isa Mustafës hoqi dorë nga blloku opozitar dhe iu bashkua PDK-së. Por, kompromisi i marrëveshjes ia pamundësoi Thaçit mandatin e tretë si kryeministër. Ai i vendosi vetes synime të tjera.

Si rezultat i marrëveshjes politike me Lidhjen Demokratike, Thaçi u emërua ministër i Jashtëm i Kosovës, e pastaj president. Me 71 vota, Thaçi u zgjodh president i Republikës së Kosovës më 26 shkurt të 2016-s.

Përfundimin e mandatit të plotë si president ia pamundësoi aktakuza nga Gjykata Speciale, e cila ia preu, së paku momentalisht, “gjarprit” rrugëtimin 23 vjeçar të tij në jetën politike. /GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark