Iu gjetën 60 mijë euro cash - çka thuhet tjetër në dosjen e Prokurorisë për Faruk Mujkun e Vetëvendosjes dhe dostin e tij - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Iu gjetën 60 mijë euro cash – çka thuhet tjetër në dosjen e Prokurorisë për Faruk Mujkun e Vetëvendosjes dhe dostin e tij

    Insajderi
    10 September 2025 - 16:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës dhe aktualisht Kryeshef Ekzekutiv i N.P. “Ibër Lepenci”, si dhe ndaj Hysen Muzliukajt, ish-Drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës.

    Aktakuza i ngarkon të pandehurit me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mospërmbushje të obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë.

    Sipas dosjes së prokurorisë Faruk Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Hysen Muzliukaj, drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shkëmbimi i pronave komunale me prona private.

    Më 25 prill 2021, Faruk Mujka, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe me ndihmën e Muzliukajt, i ka paraqitur Kuvendit të Komunës propozim-vendimin për ndërrimin e një pjese toke komunale me një pronë private. Prona komunale, në zonën e njësisë kadastrale me numër 012130, me sipërfaqe 139 m², ndodhej në lokacionin e njohur si “ish-Bankosi” në Mitrovicë, ndërsa prona tjetër ishte në emër të një qytetari të quajtur Basreta Isufi, në rrugën “Ali Zeneli”.

    Dyshja, dyshohet se tejkaluan kompetencat e tyre zyrtare për të favorizuar persona të tretë, duke paraqitur Kuvendit Komunal një propozim-vendim për këmbimin e një prone si pronë komunale, ndonëse ajo ishte shpallur më parë me interes të posaçëm publik.

    Veprimet e tyre dyshohet se kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

    Hetimet tregojnë se prona komunale nuk ishte në të vërtetë pronë e Komunës, pasi për të ka ekzistuar një kontest gjyqësor i hapur që nga viti 2006. Për më tepër, Kuvendi i Komunës nuk ka miratuar ndonjë vendim për dhënie me interes të posaçëm publik për këtë truall, siç kërkohet me ligj.

    Fshehja e pasurisë – kapja e mbi 60 mijë eurove cash

    Faruk Mujka, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të N.P. Hidro-Ekonomike “Ibër Lepenci” SHA, dyshohet se nuk e ka deklaruar pasurinë e tij në përputhje me ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë.

    Deri më 15 korrik 2023, në shtëpinë e tij në Mitrovicë janë gjetur 60,050 euro para të gatshme (cash), të cilat nuk ishin të raportuara në formularët e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ndonëse ai ishte ligjërisht i obliguar ta bënte një gjë të tillë.

    Prokuroria shton se kjo shumë është zbuluar gjatë një kontrolli të autorizuar nga Gjykata, ndërsa Mujka nuk kishte paraqitur fare formularin e deklarimit të pasurisë për vitin paraprak.

    Sipas provave, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte informuar institucionet përkatëse që prona në fjalë (ish-Bankosi) nuk mund të konsiderohej pronë komunale, pasi kishte një histori ligjore të pazgjidhur dhe kërkesë për shpronësim që nuk ishte finalizuar.

    Prokuroria Speciale ka propozuar gjithashtu shqyrtimin e dënimeve plotësuese për të pandehurit Faruk Mujku dhe Hysen Muzliukaj në kuadër të procesit gjyqësor.

    “Mujka dhe Hysen Muzliukaj t’u shqiptojë dënimin plotësues Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, thuhet në dosje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark