Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas kallëzimit penal ndaj saj nga subjektet opozitare në Prokurorinë Speciale për subvencionimin e teksteve shkollore.
Nagavci pretendon se shkëputi praktikën 20-vjeçare “të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata një burimore”, shkruan Insajderi.
“Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua”, thuhet në postimin e Nagavcit.
“U përpoqën në çdo mënyrë dhe me çdo mjet, në media dhe në Kuvend, për ta rikthyer sistemin e vjetër, por nuk ia dolën. Së fundi, kanë krijuar Komision Hetimor, të cilin e kemi përkrahur edhe ne si grup parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe unë si ministre e Arsimit, sepse nuk kemi çfarë të fshehim”, vijon shkrimi.
Pjesëtarët e komisionit hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore njoftuan se ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për shkak të parregullsive të evidentuara. /Insajderi.org/