Bayern Munich është fokusuar që të transferojë edhe një lojtar në repartin e sulmit. Gjiganti bavarez ka dy dëshira për këtë pozicion – Xavi Simons dhe Desire Doue.
Sipas L’Equipe dhe Fabrizio Romanos, Bayerni ka dërguar një ofertë të dytë në drejtim të Rennesit për sulmuesin Desire Doue.
Kjo ofertë tashmë vlen mbi 40 milionë euro duke përfshirë edhe bonuset. Bavarezët po i afrohen kërkesave të klubit francez, pasi ata duan një shifër afro 60 milionë eurosh për ta lënë të lirë Douen.
Bayerni kishte bërë ofertën hapëse për Doue diku rreth dhjetë ditë më parë, e cila ishte refuzuar menjëherë.
Oferta e parë kishte vlerën e 35 milionë eurove, duke përfshirë edhe bonuset, ndërsa sulmuesi francez dëshiron që e ardhmja e tij të zgjidhet para se Franca të nis kampanjën e saj në Lojërat Olimpike më vonë gjatë këtij muaji.
Në ndërkohë, RMC dhe Foot Mercato ka raportuar se oferta e dytë e Bayernit kap shifrën e 55 milionë eurove. Përveç dy mediumeve franceze, edhe Sky Sports Germany ka konfirmuar gjithashtu këtë lajm.
Doue mund të luajë në krah të sulmit ose të operojë si një numër ‘10’. 18-vjeçari shijoi një sezon produktiv me Rennesin sezonin e kaluar, duke marrë shumë minuta në nivelin më të lartë.
Ai konsiderohet si njëri prej talentëve më të mirë që ka prodhuar elita e futbollit francez gjatë viteve të fundit, andaj nuk është një rastësi pse ai ka zgjuar interesimin e fortë të Bayernit.