×
  • Lajme
  • Lajme

    Iu sekuestruan 50 milionë euro pasuri- Kush janë personazhet e njohur që reklamojnë jetën luksoze në rrjete sociale

    Insajderi
    28 June 2024 - 11:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuri në vlerë prej 50 milionë euro të Kristian Boçit, të dënuar për drogë në Belgjikë, Elman Abule dhe 5 persona të tjerë, pasi dyshohet se ishin përfshirë në skemën e pastrimit të parave në Shqipëri, ku dyshohet se rol kishin edhe bashkëshortet e tyre.

    Pasuritë e sekuestruara përfshijnë 14 njësi tregtare, llogari bankare, dyqane, garazhe, apartamente dhe një automjet me vlerë 117 mijë euro në pronësi të Boçit.

    Prokuroria informon se nga hetimet ka rezultuar se Elman Abule, i cili ka kryer dënimin për trafik droge në Belgjikë në kuadër të grupeve kriminale, ka themeluar një sërë shoqërish tregtare me qëllimin për të maskuar kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij.

    Raportohet se Elman Abule, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin Kristian Boçit dhe shtetasit me iniciale V.A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.

    “Nga hetimet është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anulimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditërisht del edhe garant i shumave të dhëna”, sipas Prokurorisë së Tiranës.

    Gjithashtu rezulton se janë krijuar shoqëri fiktive, të cilat pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar. Janë dhënë hua në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, si edhe janë krijuar shoqëri me kuota të përbashkëta midis shtetasit me iniciale E. A. dhe Kristian Boçit, apo midis Kristian Boçit dhe Elman Abule, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë.

    Drilona Boçi zotëron një nga atelietë më të njohura të veshjeve në Tiranë. Ajo ka marrë pjesë edhe në konkurse bukurie si dhe është e diplomuar për drejtësi. Nga martesa e tyre kanë dy fëmijë.

    Kristiani njihet si boksier dhe influencer në rrjetet sociale.

    Të dy reklamojnë jetën luksoze në rrjete sociale.

    Pasuritë e sekuestruara të Kristian Boçit:

    – Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim të blerjes 9,300,000 Lekë;
    – Pasuria e llojit “Njësi”, me çmim i blerjes 600,000 Euro;
    – Pasuria e llojit “Dyqan”, me sipërfaqe 222 m2;
    – Pasuria e llojit “Dyqan” me sipërfaqe 220.8 m2 dhe verandë me sipërfaqe 285 m2;
    – Pasuria “Apartament”, me sip 201.8 m2;
    – Pasuria “Garazh” me sipërfaqe 18.9 m2;
    – Pasuria “Garazh” me vlerë totale 25,000 Euro ose 3,425,000 lekë (secili 25,000 Euro); dhe
    – Pasuria e llojit “Autoveturë”, të tipit “Mercedez Benz”, në shumën 117,000 Euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark