Forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme masive në periferi të kryeqytetit libanez, Bejrut, më 6 tetor, në kohën kur Izraeli po ashtu po shqyrton mundësitë për përgjigjen ndaj sulmit të fundit raketor iranian.Izraeli tha se ka kryer një seri të “sulmeve të shënjestruara” ndaj “depove të armëve” dhe infrastrukturës së Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – që mbështetet nga Irani.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, e cila ka ulëse në Parlamentin libanez.Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se bastioni i Hezbollahut në këtë zonë është goditur me mbi 30 sulme ajrore. Një pikë karburanti dhe një depo me furnizime shëndetësore po ashtu ka qenë cak i sulmeve izraelite.
Videot e publikuara kanë shfaqur shtëllunga të mëdha tymi dhe zjarri pas sulmeve të kryera gjatë natës, teksa banorët janë larguar nga shtëpitë e tyre. Në videot e publikuara janë dëgjuar edhe shpërthime të fuqishme.Izraeli për ditë të tëra po sulmon periferitë e Bejrutit, dhe gjatë sulmeve ka vrarë udhëheqësin e Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah. Në sulmet izraelite mund të jetë vrarë edhe pasardhësi i mundshëm i Nasrallahut, Hashem Safieddine.
Burimet e sigurisë kanë thënë se me Safieddinen nuk ka mundur të kontaktohet që nga 4 tetori, kur Izraeli kreu një sulm ajror në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar në Bejrut, sulm që raportohet se ka pasur atë për shënjestër. Hezbollahu nuk ka komentuar lidhur me fatin e Hashem Safieddine.Izraeli tha se Nasrallahu u vra gjatë sulmeve në selinë qendrore të komandës së Hezbollahut në Bejrut më 27 shtator.
Izraeli tha më 5 tetor se forcat e tij kanë vrarë 440 luftëtarë të Hezbollahut gjatë operacionit tokësor në jug të Libanit dhe kanë shkatërruar 2.000 caqe të grupit. Nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë deri më tani në jug të Libanit, thanë autoritetet.Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, pothuajse 2.000 persona janë vrarë në Liban gjatë konfliktit, shumica që nga 23 shtatori.
Izraeli ka thënë se sulmet e tij ndaj Hezbollahut synojnë që të mundësojnë kthimin e sigurt të dhjetëra mijëra izraelitëve në shtëpitë e tyre në veri të Izraelit, ku grupi militant ka kryer bombardime që nga tetori i vitit të kaluar.Forcat izraelite janë në gatishmëri të lartë para përvjetorit të parë të sulmit të 7 tetorit të vitit 2023, që nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Sipas të dhënave të Izraelit, afër 1.200 persona u vranë dhe afër 250 të tjerë u rrëmbyen gjatë sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit.Zyrtarët shëndetësorë në Gazë më 6 tetor kanë raportuar se të paktën 41.870 palestinezë janë vrarë gjatë luftës pothuajse njëvjeçare në enklavën palestineze.
Izraeli po ashtu po e shqyrton një sulm hakmarrës ndaj Iranit, pasi Teherani më 1 tetor gjuajti të paktën 180 raketa balistike drejt Izraelit.Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Uashingtoni po diskuton me Izraelin lidhur me mundësinë e sulmeve izraelite ndaj infrastrukturës së naftës të Iranit. Më 4 tetor, udhëheqësi amerikan i bëri thirrje Izraelit që të shqyrtojë alternativa të tjera dhe të mos godasë caqe të tilla.
Ministri i Naftës i Iranit, Mohsen Paknejad, vizitoi ishullin Karg më 6 tetor, mes shqetësimeve se Izraeli mund të godasë terminalin më të madh të naftës të Iranit që ndodhet në këtë vend.“Paknejad arriti këtë mëngjes për vizitë në ndërtesat e naftës dhe u takua me stafin në ishullin Karg”, u tha në ueb-faqen e Ministrisë së Naftës.
Ky terminal i naftës ka kapacitet që të ruajë 23 milionë fuçi të naftës së papërpunuar./Radio Evropa e Lirë