Izraeli paralajmërohet për katastrofë nëse fillon ofensivën në këtë vend – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Izraeli paralajmërohet për katastrofë nëse fillon ofensivën në këtë vend

    Insajderi
    11 February 2024 - 13:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vendet fqinje të Izraelit, dhe ndërmjetësuesit kyçë, kanë paralajmëruar për katastrofë, nëse ushtria izraelite nis ofensivë tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku Izraeli beson se janë edhe disa bastione të Hamasit – bashkë me mbi gjysmën e popullsisë së enklavës.

    Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sipas REL-it.

    Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 44 palestinezë – përfshirë shumë fëmijë – në Rafah të shtunën, disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka thënë se i ka kërkuar ushtrisë një plan për evakuim të qindra mijëra njerëzve, para se të nisë pushtimi.

    Ai nuk ka përmendur afate kohore, por njoftimi ka shkaktuar panik.

    Më shumë se 2.3 milionë banorët e Gazës janë duke u strehuar në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin.

    Shumë prej tyre kanë ikur pas kërkesave të ushtrisë izraelite për t’u larguar prej dy të tretës së territorit të Gazës, pas nisjes së luftës më 7 tetor të vitit të kaluar.

    Tani është e paqartë se ku mund të shkojnë ata.

    Lufta është nxitur prej sulmeve të Hamasit në tokën izraelite, atë ditë, duke vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë 240 pengje.

    Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, ka thënë se ofensiva tokësore e Izraelit do të kishte “pasoja shkatërruese” dhe, sipas tij, Izraeli synon t’i dëbojë palestinezët prej asaj toke.

    Egjipti ka paralajmëruar se çdo lëvizje e palestinezëve drejt Egjiptit mund të kërcënojë traktatin e paqes – të vjetër mbi katër dekada – në mes të Izraelit dhe Egjiptit.

    Një tjetër ndërmjetësues, Katari, ka paralajmëruar, po ashtu, për katastrofë, derisa Arabia Saudite ka parajmëruar për “pasoja shumë serioze”.

    Tashmë ka thellim të dallimeve edhe në mes të Netanyahut dhe Shteteve të Bashkuara, pasi zyrtarët amerikanë kanë thënë se pushtimi në Rafah, pa plan për civilët, do të rezultojë me katastrofë.

    “Njerëzit në Gazë nuk mund të zhduken në ajër”, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në X – platformën e njohur deri më tani si Twitter.

    Netanyahu ka thënë se është e pamundshme që të eliminohet Hamasi, duke i lënë katër batalione të grupit në Rafah.

    Pavarësisht kritikave, ai është i vendosur të ecë përpara.

    “Ata që na thonë se nuk mund të hyjmë assesi në Rafah, janë duke na thënë që të humbim luftën, të mbajmë Hamasin aty”, ka thënë ai për një emision të rrjetit televiziv amerikan ABC News.

    I pyetur se ku duhet të shkojnë civilët, Netanyahu ka thënë se “zonat që kemi pastruar në veri të Rafahut, ka shumë tokë atje, por jemi duke punuar në një plan të detajuar”.

    Izraeli ka kryer sulme pothuajse çdo ditë në Rafah, afër pikës ku hyjnë ndihmat në Gazë, të cilat janë tepër të nevojshme për palestinezët.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark