Izraeli ka një plan për tu mbrojtur nga armiqtë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Izraeli ka një plan për tu mbrojtur nga armiqtë

    Insajderi
    10 February 2016 - 21:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri izraelit, Binyamin Netanyahu njoftoi synimin e tij për të rrethuar të gjithë Izraelin me një rrethojë që të mbrojë vendin nga infiltrimi si i palestinezëve ashtu edhe i qytetarëve nga vendet arabe fqinje, të cilët i përshkroi si “bisha të egra”.

    Netanyahu e paraqiti propozimin gjatë një vizite që zhvilloi nën zonën kufitare me Jordaninë, në jug të Izraelit, duke shtuar se projekti – që do të kushtojë miliarda shkelë – gjithashtu do të synojë zgjidhjen e problemit me tunelet e Hamasit nga Gaza, një burim më i fundit shqetësimi për autoritetet.

    Ai e cilësoi projektin kufitar si pjesë të një “plani shumëvjeçar për ta rrethuar Izraelin me gardhe sigurie që të mbrojmë veten në Lindjen e Mesme aktuale dhe në atë të ardhmërisë”.

    Duke përshkruar nevojën për mure të reja dhe gardhe, kryeministri tha: “Në rajonin tonë, ne kemi nevojë të mbrojmë veten nga bishat e egra”.

    E më pas shtoi: “Në fund të ditës si e shoh unë, do të ketë gardhe si këto që do të rrethojnë Izraelin tërësisht. Ne do të rrethojmë të gjithë shtetin e Izraelit me gardhe e pengesa”.

    Netanyahu tha se qeveria izraelite do të shqyrtojë, gjithashtu, rrugët e mbylljes së hapësirave boshe në murin ekzistues që ndodhet përgjatë zonave të gjera në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor.

    Ky mur ndarës – i urdhëruar të ndërtohet me një kosto të lartë nga ish-kryeministri Ariel Sharon – fillimisht u tha se ishte arsyeja e një rënieje në numrin e sulmeve të dhunshme palestineze në Izrael, sikundër edhe të sulmeve vetëvrasëse, një mënyrë e përdorur gjatë  intifadës së dytë në vitet e para të këtij shekulli.

    Por, kjo meritë u minua më pas nga lehtësia e dukshme që agresorët palestinezë menaxhuan të arrinin për të hyrë në Izrael në mes të një vale dhune që nga tetori i kaluar.

    Lufta në Gaza në vitin 2014 gjithashtu demonstroi sesa e lehtë ishte për Hamasin të hapte tunele poshtë pengesës mbitokësore që rrethonte enklavën bregdetare, për të hyrë në Izrael.

    Edhe përdorimi nga Netanyahu i frazës “bisha të egra”- e përkthyer edhe si “grabitqarë”, risolli në kujtesë gjuhën e ashpër të përdorur prej tij në prag të fushatës së vitit të kaluar ndaj arabëve izraelitë të cilët i kishte përshkruar se “vijnë me tufa”.

    Komentet e gardhimit të Izraelit erdhën ndërsa Netanyahu vizitoi një pjesë të gardhit prej 18 miljesh që shkon nga qyteti i Detit të Kuq, Eilat deri në afërsi të zonës ku Izraeli po ndërton një aeroport të ri ndërkombëtar. Vetëm kjo pjesë kushton 77 milionë dollarë. Në vitin 2013, Izraeli përfundoi edhe një gardh pesë metra të lartë përgjatë kufirit të vet me Sinain.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark