Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, paralajmëroi të enjten se lufta kundër Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – do të zgjasë “më shumë se disa muaj”.
Gallant i bëri këto komente në Tel Avivi me këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, të enjten.
Më vonë gjatë ditës së enjte, Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara duan që kjo luftë të përfundojë shpejt.
“Mendoj se të gjithë ne duam që ajo të mbarojë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Lufta, tani në muajin e tretë, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu një sulm tronditës në jug të Izraelit duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbeu mbi 240 të tjerë.
Prej atëherë, Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe e ka rrënuar shumicën e saj. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të mërkurën se mbi 18.600 palestinezë janë vrarë, kryesisht fëmijë dhe gra, dhe rreth 50.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej 7 tetorit.
Avionët luftarakë e bombarduan edhe të enjten Gazën dhe zyrtarët e organizatave humanitare thanë se shiu dimëror i ka përkeqësuar kushtet për qindra mijëra njerëz që detyrohen të flenë në tenda të improvizuara.
Shumica dërrmuese e popullsisë prej 2.3 milionë në Gazë ka mbetur pastrehë.
Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Izraeli është duke e humbur mbështetjen globale për shkak të bombardimit të pakujdesshëm të Rripit të Gazës dhe i bëri thirrje Netanyahut ta ndryshojë Qeverinë e tij. /REL