Izraeli vazhdoi bombardimet në Rripin e Gazës të shtunën, ndërsa lufta kundër Hamasit i afrohet 100 ditëve pa një fund të dukshëm. Në qytetin jugor të Rafahut, një sulm ajror izraelit shkaktoi vdekjen e 10 vetëve, tha ministria e shëndetësisë e Gazës e kontrolluar nga Hamasi.
Izraeli thotë se objektivi i tij janë militantët dhe se bën të gjitha përpjekjet për të minimizuar pasojat tek civilët. Por shkalla e vrasjeve në Gazë dhe situata e rëndë humanitare ka tronditur opinionin botëror dhe ka nxitur thirrjet në rritje për armëpushim.
Ushtria izraelite tha të shtunën se forcat e saj kishin vrarë një numër militantësh në zonën jugore të Khan Younisit dhe në pjesën qendrore të Gazës.
Hamasi tha se luftëtarët e tij qëlluan në një helikopter izraelit në Khan Younis. Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, banorët njoftuan për beteja intensive me armë dhe bombardime tankesh dhe sulme ajrore izraelite në Al-Bureij, Al-Nusseirat dhe Al-Maghazi.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër militantët dhe një qendër komanduese të Hamasit në ato zona.