Bashkimi Evropian e ka formësuar demokracinë në Kosovë dhe nuk duhet që të qëndrojë pasive derisa kjo demokraci gradualisht po shkatërrohet nga një qeverisje në rritje autoritare.
Pas intervenimit të NATO-s në vitin 1999, Kosova u bë një protektorat i Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2008, Uashingtoni dhe fuqi të tjera evropiane e bënë të pavarur, por duke e vënë nën një mbikëqyrje të shteteve perëndimore. Kjo situatë përfundoi në vitin 2012. Por, Kosova vazhdon të jetë nën ndikimin e BE-së, që e përkrahë atë financiarisht dhe ka dërguar misionin më të madh, të quajtur EULEX. Në përgjithësi, investimi ndërkombëtar në Kosovë tejkalon edhe investimet e bëra në ndonjë intervenim shtet-ndërtues diku tjetër.
Por, Kosova vazhdon të jetë një vend i varfër, joproduktiv dhe i kapluar nga joligjshmëria. Problemi kryesor i vendit, ashtu siç unë argumentoj në një libër, është demokracia e dobët. Që nga viti 2008, Freedom House e kualifikon Kosovën si një vend gjysmë të konsoliduar autoritar. Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që gëzon këtë epitet. Edhe përgjegjshmëria politike është shumë e vogël që qytetarët të bëjnë presion tek elitat qeverisëse që të reduktohet korrupsioni e të përshpejtohet zhvillimi. Si rezultat, papunësia dhe varfëria vazhdojnë të jenë në nivele të larta ndërsa tensionet sociale duket se janë në rritje.
Disa javë më parë, qeveria e draftoi një ligj që për qëllim kishte të shpëtojë një ndërmarrje publike të bankrotuar të minierave, që besohet se ka rezerva të çmueshme. Disa muaj më parë, një draft për këtë çështje tjetër u prit me kundërshti dhe u detyrua që të largohet. Drafti i ri u prezantua në kuvend më 5 tetor. Rregullat e punës së kuvendit kërkojnë që një projektligj duhet të kalojë dy lexime paraprake, në komitete dhe në seancë plenare, proces ky që nuk mundet të zgjatë më pak se katër javë. Por, ky draft u bë ligj brenda një periudhe prej 12 orëve, mes pasdites së 7 tetorit dhe orëve të para të ditës së nesërme.
Është evidente që qeveria u frikësua se një debat publik mundet sërish të ndikojë shumicën parlamentare, e edhe më keq, për t’iu përgjigjur kritikës sime të përdorimit të parlamentit si një makinë votuese, qeveria në mënyrë efektive e bëri edhe teori këtë praktikë. Për të sqaruar mënyrën se si u bë ligji, “sa për të mos poshtërohet kuvendi”, këshilltari ekonomik i kryeministrit tha se drafti ka qenë i diskutuar gjerësisht para se të dërgohet në kuvend dhe se “ka qenë i shkruar në atë mënyrë që për një deputet ka qenë e lehtë të kuptohet”. Rrjedhimisht, nuk ka qenë problem që parlamentit i janë dhënë vetëm disa orë për të lexuar, debatuar, amandamentuar dhe të aprovojë draftin dy herë.
Sidoqoftë, kjo nuk mjafton që të përkrahet argumenti i qeverisë. Logjikisht, nuk është pritur asgjë e dobishme nga debati parlamentar. Më konkretisht, qeveria supozon se puna që është bërë me draftimin e këtij ligji ka qenë zëvendësues i pranueshëm i debatit publik në kuvend, dhe përjashton, ose e anashkalon mundësinë që parlamenti dhe opinioni publik kanë mundur të japin kritika apo ide të dobishme lidhur me këtë çështje. Duke iu referuar John Stuard Millit, Qeveria e Kosovës ka mohuar ato që quhet si “qeverisje përmes diskutimit.”
Mund të duket e habitshme që qeveria të përdorë atë argument. Argumenti im është se demokracia e Kosovës ka degraduar deri në atë pikë – vitin e kaluar një e treta e deputeteve opozitare ishin arrestuar në mënyrë të jashtëligjshme – sa që njerëzit nuk presin më që edhe formalitete të tilla të respektohen. Dhe duket se për shkak qe njerëzit as nuk i besojnë më institucioneve politike, ky episod nuk nxiti asnjë protestë.
Heshtja e BE-së është vështirë të shpjegohet. Sepse nëse lihet e vetme, logjika e sistemit qeverisës në Kosovë do të dërgojë demokracinë në një proces që do të vazhdojë ose deri sa të konsolidohet autokracia ose që populli të revoltohet. Çdo skenarë do të dëmtonte investimet që janë bërë për ndërtimin e institucioneve kosovare, investime që kryesisht kanë ardhur nga Brukseli, dhe mund të minojnë stabilitetin në Ballkan, që ka qenë një prioritet strategjik i Evropës që nga vitet 1990ta.
Por, ekziston arsye më e madhe dhe ndoshta më urgjente se pse Bashkimi Evropian duhet të reagojë, e që lidhet me trendin e ashtuquajtur “joliberal” në pjesë të Evropës qendrorë dhe lindore. Kredibiliteti i kritikave të BE-së ndaj atyre qeverisjeve do të dëmtohet nëse vazhdon heshtja ndaj erozionit të demokracisë në Kosovë. Me Bashkimin Evropian aq thellë të përfshirë në Kosovë, heshtja do të mund të nënkuptohet si qëndrim aprovues.
(Andrea Lorenzo Capussela ka qenë ish-shef i sektorit ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare. Opinioni i tij është publikuar fillimisht euroactiv.com ndërsa është përkthyer nga Insajderi)