Bashkimi Evropian është i gatshëm të rregullojë monedhat kriptografike nëse rreziqet nga ky sektor nuk trajtohen në një nivel global tha shefi i financave të bllokut.
Një çmenduri investimi filloi vitin e kaluar në Bitcoin dhe monedhat e tjera kriptografike ku shumë investitorë fituan dhe të tjerë humbën.
“Ky është një fenomen global dhe është e rëndësishme që të aplikohen masa në nivel global,” tha Valdis Dombrovskis.
“Nuk e kemi hedhur poshtë mundësinë që të ecim përpara në nivel Evropian nëse rreziqet shtohen dhe përgjigja ndërkombëtare mungon.”
Këtë deklaratë ai e dha në një tryezë të rrumbullakët organizuar nga Banka Qendrore Evropiane dhe Bordi i Stabilitetit Financiar.
Ministrat e Financave të G20-ës si dhe Drejtorët e Bankave Qendrore pritet të takohen në Mars në Buenos Aires ku kriptomonedhat janë pjesë e axhendës.
Gjermania dhe Franca, të cilat kanë pranuar mundësitë e reja dhe potencialin e monedhave kriptografike, thanë se ato gjithashtu përbëjnë rreziqe të larta financiare për investitorët.
Duke qenë se ky treg përfaqëson vetëm një fraksion të sistemit financiar, konsensusi rreth tyre mungon. /CIO Albanian