Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar sot hapjen e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave të paraanëtarësimit me Serbinë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Kapitujt do të hapen zyrtarisht më 19 korrik në konferencën ndërqeveritare të BE-së dhe Serbisë.
Vendet anëtare të BE kanë rënë dakord më 5 korrik që të hapin kapituj të rinj të negociatave me Serbinë.
Më herët, Kroacia ka penguar një gjë të tillë, duke kërkuar nga Serbia që, me ndryshim të ligjeve, të shfuqizojë kompetencën rajonale të gjyqësorit të saj mbi krimet e luftës, si dhe të garantojë përfaqësimin e pakicës kroate në parlament.