
Presidentja në largim e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se gjatë mandatit të saj si presidente është përballur me kritika seksiste që kanë ardhur nga brenda Kosovës.
E pyetur nga Zëri i Amerikës për të sqaruar faktin se pse Jahjaga ka qenë e mirëpritur ndërkombëtarisht por e kritikuar brenda vendit, ajo ka thënë se në Kosovë vazhdon të jetë një atmosferë e rëndë e veprimit.
“Kritikat janë të mirëseardhura, ato janë pjesë e punës, përsa kohë ato kritika kanë të bëjnë me avancimin e performancës së punës dhe unë gjithmonë jam munduar që të jem sa më gjithpërfshirëse, të jem sa më parimore”, ka thënë Jahjaga e cila është duke qëndruar në ShBA për një vizitë.
“Kurse të gjitha ato kritika që kanë qenë, veçanërisht ato seksiste jam munduar që t’i injoroj dhe ato asnjëherë nuk kanë penguar punën time sepse neve në Kosovë ende kemi një atmosferë goxha të ashpër të veprimit, sidomos sa i përket klasës politike”, ka shtuar Jahjaga.
Duke folu për takimet e saj me liderë botërore, ajo ka thënë se është pritur me seriozitetin më të madh “dhe unë jam munduar që me seriozitetin më të madh të mundshëm të përfaqësoj popullin tone”.
Atifete Jahjaga është në detyrën e presidentes vetëm edhe disa ditë. Më 7 prill ajo pritet t’I dorëzohe detyrën presidentit të zgjedhur, Hashim Thaçi.
Mediat në Kosovë raportuar të premten se ceremonia e pranim-dorëzim të detyrës pritet të jetë e veçantë.
Gjatë vizitës në ShBA, Jahjaga është takuar me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.
Përgjithësisht gjatë mandatit të saj pesë vjeçar, Jahjaga ka pasur takime të rëndësishme me liderë të shteteve të fuqishme.
Në korrik të vitit të kaluar, ajo është pritur edhe nga Mbretëresha e Britanisë, Elizabeta II./Insajderi.com