
Presidentja në largim e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se sot është dita që simbolizon bashkimin për ta ndërtuar shtetin, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të Kosovës dhe se ka ardhur koha që të formohet Ushtria e Republikës së Kosovës.
Jahjaga në manifestimin për nderë të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës përkulen para atyre burrave dhe grave që e deshën lirinë.
“Sot është dita që simbolizon bashkimin, ku duhet më shumë respekt e dashuri, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të saj. Sot është dita që duhet hequr dorë nga inatet për të punuar për një shtet të së drejtës. Sot është koha për Kosovën, e cila është një realitet i pa kthyer dhe është koha që FSK të kthehet në Forcë të Armatosur”, ka thënë ajo.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtant Rrahman Rama, tha se do të nderojnë të gjithë ata që u sakrifikuan që ne të jetojmë të lirë dhe gjeneratat e reja të kenë një të ardhme të sigurt.
Ai tha se duhet të ndërtojmë identitetin tonë që ka dal nga e kaluara e lavdishme. “FSK është forcë profesionale mbi vlera kombëtare e perëndimore që është e gatshme të u dalë në ndihmë qytetarëve”, tha Rama.
Manifestimi për nder të Epopesë së UÇK-së ka filluar me parakalimin e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë.