Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i ka dorëzuar sot Kuvendit emrat e kandidatëve për tre anëtarë jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Në listën e parë për plotësimin e pozitës për një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së radhitet edhe ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Bashkim Nurboja.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Nurbojen për ta pyetur rreth propozimit të tij për anëtar të bordit të BQK-së.
Nurboja në përgjigjen e tij, tha se është personi më meritor për këtë pozitë se kundërkandidatët e tjerë.
Ai, tutje u shprehë se nuk është i përfshirë në asnjë pozitë politike duke lënë të kuptohet se nuk e sheh ndikimin e partis në pushtet në rrugëtimin e tij drejt bordit të BQK-së.
“Unë mendoj se për këtë pozitë jam më meritor se kunderkandidatëtë e tjerë. Megjithatë, deputetet do të vendosin për këtë. Unë nuk jam i përfshirë në asnjë pozitë politike, e as qeveritare”, tha Nurboja për Insajderin.
Bashkim Nurboja ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e vitit 2019 poashtu ka qenë kandidat i po kësaj partie për Kryetar të Pejës.
Votimi për anëtarë e bordit të BQK-së do të bëhet me votim të fshehtë në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.
Kujtojmë se ka më shumë se një vit që BQK-ja ka mbetur pa Bord funksional në mungesë të kuorumit. Banka Qendrore e Kosovës për këto pozita kishte shpallur dy konkurse.