Janari iku, koeficienti nuk dihet akoma- Çka premtoi Kurti? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Janari iku, koeficienti nuk dihet akoma- Çka premtoi Kurti?

    Insajderi
    01 February 2023 - 09:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ligji për Paga tashmë është bërë publik në gazetën zyrtare, por ende nuk dihet zyrtarisht se sa do të jetë vlera e koeficientit. E kryeministri, Albin Kurti, kishte premtuar se vlera e koeficientit do të bëhet e ditur gjatë muajit janar ndërsa sot është data 1 shkurt.

    Pavarësisht insistimit fillimisht të punëtorëve të sektorit publikë e pastaj edhe të partive opozitar e të tjerëve, deri më tani Qeveria Kurti e ka mbajtur të fshehur koeficienti e pagës.

    Kryeministri i Kosovës, kur ishte pyetur se kur do të bëhet i ditur, kishte kërkuar durim, por janarin e kishte dhënë si datë të fundit.

    Në janar do të vendoset vlera e koeficientit, nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023.” – kishte thënë Kurti.

    Ndërkohë në ora 10:00, Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhjen e radhë, ku me shumë gjasë por jo sigurt mund të tregohet vlera e koeficientit të pagës.

    Koeficienti 103.17

    Gjatë pritjes për koeficientit në media shpeshherë janë raportuar mundësitë se cila do të jetë vlera e koeficientit.

    Nacionale të martën mbrëma ka raportuar ekskluzivisht se vlera e koeficientit pritet të jetë 103.17.

    Nëse vlera e koeficientit është 103.17, në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, del se presidentja Osmani do të paguhet rreth 1 mijë e 857 euro.

    Kryeministri Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca ndërkohë, në bazë të kësaj vlere, do të paguhen 1 mijë e 821 euro.

    Gjithashtu, Duke e llogaritur me vlerën, që pritet të jetë 103.17, mësimdhënësi i shkollës së mesme do të marrë rreth 598 euro pagë, ndërkaq, ai i shkollës fillore, do të paguhet rreth 577 euro.

    Ndërkaq, partitë opozitare në vazhdimësi kanë kërkuar që të bëhet publike vlera e koeficientit. Edhe gjatë votimit të Ligjit për Paga në Kuvend, opozita kishte kritikuar se si mund të votohet ligji që nuk dihet vlera e koeficientit.

    “Vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro.” – kishte thënë ish-kryeministri, Avdullah Hoti.

    Ndërkaq, Besnik Tahiri i AAK-së, kishte kërkuar që vlera e koeficientit të jetë 129.

    129 euro koeficienti e shpëton ligjin, përndryshe ligji do të kontestohet… Aleanca s’e ka qëllim ta rrëzojë, sepse po u rrëzua kthehet prej fillimi, mirëpo shpëtimi i ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese e ka 129 euro vlera e koeficientit.” – kishte deklaruar Tahiri.

    Mungesa e përcaktimit të vlerës së koficientit ka nxitur ankesa, duke u kërkuar që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani dy institucione janë drejtuar te Avokati i Popullit që ta dërgojë ligjin në Kushtetuese.

    Ligji për Paga u miratua në muajin dhjetor të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës.

    85 deputetë ishin të pranishëm në sallë nga ta 63 votuan për Projektligjin për Paga.

    64 deputetë kanë votuar 63 për asnjë kundër dhe një abstenim, miratohet Projektligji për Paga në Sektorin Publik.” – kishte thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Mbetet të shihet nëse do të bëhet zyrtarisht i ditur sot koeficienti i pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark