×
  • Lajme
  • Lajme

    “Janë të pavërteta” – Policia e Kosovës mohon se e ka kaluar kufirin me Serbinë

    Insajderi
    21 November 2024 - 19:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e autoriteteve të Serbisë se policë të Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë, në veri të vendit.

    Ministria e Mbrojtjes e Serbisë pretendoi se një grup i policëve të Kosovës, të armatosur rëndë, kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në Leposaviq.

    “Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformat që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.

    Ministria serbe e Mbrojtjes tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen”.

    Kjo ministri tha se ushtria serbe po vëzhgon situatën në terren dhe “janë të gatshëm të reagojnë” në bazë të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës.

    “Ministria e Mbrojtjes kërkon nga KFOR-i, si forca e vetme legale dhe legjitime ushtarake në territorin e Kosovës, që të marrë masa në përputhje me mandatin e tij dhe të parandalojë autoritetet e përkohshme të Prishtinës në përpjekjet për të shkaktuar përshkallëzim të dhunës”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes.

    Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra dhe mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark