
Analisti politik, Dushan Janjiq, ka vlerësuar se kriza parlamentare në Kosovë ka prodhuar dy humbës kryesorë: deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe Listën Serbe, të cilët sipas tij ndajnë të njëjtin interes politik.
Janjiq thekson se moszgjedhja e nënkryetarit të pestë të Kuvendit nga komuniteti serb ka bllokuar procesin dhe ka dëmtuar të dyja palët. Ai shton se përçarjet brenda komunitetit serb, por edhe strategjia e Vetëvendosjes për të zgjatur funksionimin e qeverisë në detyrë, e kanë thelluar këtë krizë.
“Lista Serbe dhe Kurti janë humbësit kryesorë të kësaj loje politike, ndërsa Beogradi do të dalë humbësi më i madh kur të bëhet bilanci”, deklaroi Janjiq për mediumin serb Danas.
Sipas tij, qëllimi i përbashkët i Listës Serbe dhe Kurtit është zvarritja e procesit deri te zgjedhjet e reja, duke krijuar një situatë të krizës institucionale që mund të zgjasë deri në nëntor ose më gjatë. Megjithatë, ai vlerëson se Lista Serbe nuk ka kapacitet ta realizojë këtë skenar pa ndërhyrjen e Beogradit.
Janjiq shton gjithashtu se opozita e Vetëvendosjes deri tani ka treguar aftësi në bllokimin e kandidatëve për kryetar të Kuvendit, ndërsa Kurti vetë nuk ka pasur nxitim, pasi, sipas tij, interesi i tij është të qeverisë në kushte të jashtëzakonshme për rreth një vit e gjysmë.