Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiq, në dritën e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Ohër, thotë se ende ka kohë që të copëtohet iluzioni i plotë serb mbi Kosovën, që s’ka asnjë pikë sovraniteti mbi Kosovën, shkruan Insajderi.
Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e cila përfundimisht u pranua nga pala kosovare, ai s’beson të ketë shumë rëndësi një gjë e tillë.
“Do të ketë harmonizim politikash, por më mirë të ishte formuar Këshill Kombëtar i Serbëve, që do të koordinonte të gjitha aktivitetet dhe akterët, se sa Asociacion të Komunave Serbe, e cila do të krijohet por ama nuk do të ketë dhe nuk do të mund të ketë kompetenca ekzekutive”, tha ai, siç e citoi N1, përcjell Insjaderi.
Sa i përket Listës Serbe “epoka e saj ka shkuar” shprehet i bindur Dushan Janjiq, derisa shton se ata kanë bërë punën që kishin. “Barrikadat në veri ishin detyra e tyre e fundit” derisa thotë se ato ishin të koordinuara dhe të ndihmuara nga shteti i Serbisë.
“Koha e Listës Serbe gjithashtu ka marrë fund edhe te votuesit, nuk kanë përmbushur asnjë prej premtimeve të tyre”, thotë ai, derisa vlerëson se po shkohet në drejtim të një kohe shumëpartiake mes serbëve të Kosovës.
Sipas mendimit të tij, çështja tani është nëse Beogradi para zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës, të planifikuara për 22 prill, do të arrijë marrëveshje për plotësimin e vakumit institucional dhe të sigurisë./Insajderi/