Marrëveshja e arritur me Las Palmasin për huazimin e Adnan Januzajt ka qenë një nga punët më të mëdha që kanë bërë drejtuesit e Sevillas gjatë kësaj vere, shkruan “estadiodeportivo.com”.
Sevilla ka hequr një pjesë të madhe të barrës financiare me largimin e Januzajt. Futbollisti kosovar ka qenë prej lojtarëve me pagën më të lartë te Sevilla. Ai u pagua nga Sevilla 2.7 milionë euro neto në vit. Bruto, Januzaj i kushtoi Sevillas 5.4 milionë euro në sezon.
Por me Januzajn, tani i ka dalë telashe ekipit tjetër elitar spanjoll, Las Palmas. Pak kohë pasi u mendua se Januzaj ktheu karrierën në rrugën e duhur me golin e shënuar në një ndeshje përgatitore, në miqësoren e radhës të Las Palmasit kundër Tamaraceites, u largua me barelë nga fusha për shkak të lëndimit që ndezi zilet e alarmit në klub. Lëndimi dukej i rëndë. Aq shumë, sa Januzaj nuk i mbajti dot lotët.
Lëndimin e pësoi të enjten, ndërsa ka pasur spekulime për shkallën e lëndimit. Por klubi doli me raport mjekësor vetëm të hënën. Klubi nga Ishujt Kanarie nuk dha shumë detaje në njoftim.
“Lojtari ynë Aadnan Januzaj pësoi një lëndim muskulor në këmbën e majtë. Ai do të jetë jashtë fushës varësisht nga gjendja e tij”, shkruan në njoftimin e klubit.
Ajo që më së shumti e frikësoi klubin spanjoll ishte një pushim i gjatë. Por, trajneri i klubit “verdhezi”, Luis Carrion, është optimist se Januzaj do të kthehet shpejt.
“Ai do të jetë mirë pas tre javësh. Kjo nuk është problem. Ndihem keq për të, sepse ai kishte dëshirë të madhe. Unë u befasova shumë nga dëshira e tij, mentaliteti i tij, mendimi i tij. Ndihem keq për të, lëndimet janë të këqija. Por ne do të luajmë me njëmbëdhjetë lojtarë në fushë dhe ai do të jetë mirë për tre javë”, tha Carrion.
Ai foli për rëndësinë që Januzaj do ta ketë në ekip në edicionin 2024/2025.
“Januzaj është gjeni. Ai është këtu për punë dhe mund të luajë në secilën skuadër të elitës”, ka shtuar trajneri i Las Palmas.
Natyrisht, tashmë bëhet e ditur nga raporti mjekësor se ai nuk do të jetë në ndeshjen që Las Palmas e luan të premten kundër Sevillas në hapje të sezonit. Januzaj nuk shkëlqeu te Sevilla, kundërshtarja e parë e Las Palmasit. Për Sevillan luajti 187 minuta në tetë ndeshje në La Liga.
29-vjeçari ka luajtur më herët edhe për Bashakshehirin, Real Sociedadin, Manchester Unitedin, Sunderlandin, Borussia Dortmundin. Si i ri ka qenë edhe pjesë e Anderlechtit. Për Belgjikën në 15 ndeshje ka shënuar një gol. Januzaj dikur shihej prej talenteve më të mëdha në futboll. Por karriera e tij ka pasur rënie të madhe.