
Përfaqësuesi i familjes së dëshmorëve, Xhavit Jashari pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se nuk do të dorëzohen në kërkesat e tyre.
Sipas Jasharit, nuk është detyrë as e kryeministrit e as e ministrit pastrimi i listave të veteranëve,raporton Insajderi.
“Ne ishim aty, për t’ua thënë në sy se kanë bërë shkelje ligjore. Kjo çështje do të shkojë edhe në Gjykatë Kushtetuese. Ne folëm edhe për pastrimin e listave, dhe kjo nuk është detyrë as e kryeministrit e as e ministrit. Kjo është një çështje që është në proces gjyqësor. Tash çështja është kthyer në rigjykim”, tha ai.
“Ne i shpjeguam kryeministrit se edhe po të themelohej një komision për riverifikim e veteranëve, prapë do të jenë të njëjtit njerëz, dhe askush nuk i frikësohet . Janë dy organe kompetente që e bëjnë këtë gjë: janë komandantët me zinxhirin komandues, dhe është Gjykata që vlerëson nëse ka pasur ose jo shkelje”, tha ai.