Hoxhë Shefqet Krasniqi i njohur për një gjuhë të ashpër rreth fesë islame, nuk po gjen përkrahje as nga njerëz të fushës së tij.
Ndonëse ai në gjithë ligjëratat e dhe fjalimet e tija, flet në emër të islamit, një hoxhë tjetër është shprehur se Krasniqi nuk e përfaqëson islamin në Kosovë, dhe se as ai vet nuk ndihet i përfaqësuar nga ai.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, imam Bekim Jashari në emisionin “Republika”, ka deklaruar se Shefqet Krasniqi nuk e përfaqëson fenë islame në Kosovë.
“Jo. Mua nuk më përfaqëson Shefqet Krasniqi, absolutisht. As nuk më ka përfaqësuar e as nuk dot ë më përfaqësoj”, ka thënë Jashari, duke iu përgjigjur pyetjes specifike: A është Shefqet Krasniqi përfaqësues autentik i fesë islame në Kosovë?
Jashari tha se Bashkësia Islame e Kosovës duhet ta thotë të njëjtën gjë në mënyrë institucionale.
“Nëse nuk e kanë thënë duhet ta thonë”, ka shtuar Jashari.
Madje kryetari i BIK-ut në Podujevë ka shprehur dëshirë që të ballafaqohet me Krasniqin në një debat për ta argumentuar këtë gjë.
“Nuk jam në struktura të larta të BIK-ut, drejtoj degën në Podujevë dhe nuk kam informata për këtë, por teologun që e përmende do të kisha dëshirë ta kisha në debat për të diskutuar çështje konkrete”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, lidershipi i Bashkësisë Islame pas drejtimit të Rexhep Bojës, ndryshon shumë me lidershipin e tanishëm për një arsye.
“Deri në vitin 2003 ka qenë një lidership tjetër i drejtuar nga Rexhep Boja. Dhe kjo është një periudhë që dallon nga tani, sepse numri i atyre që studiuan jashtë në periudhën e fundit është më i madh sesa në periudhën e lidershipin të mëparshëm”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, problemi i islamit në Kosovë nuk lind nga studiuesit shqiptar të islamit por nga ata që kanë marrë shkollim të jashtëm./Insajderi.com