Brenda një jave në Kosovë janë vrarë tre persona. Te tretë janë vrarë me armë zjarri nga të dyshuarit – ku dy prej tyre ndodhen ende në arrati, shkruan Gazeta Insajderi.
Vrasja e parë ndodhi në një lokal në Prishtinë, ku mbeti një i vrarë Kastriot Ramadani 39 vjeç dhe u plagosën shtatë persona.
Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Vrasja e dytë ka ndodhur me shtatë gusht në Klinë. Po ashtu edhe kjo vrasje ka ndodhur në një lokal. Nga të shtënat me armë ka mbetur I vrarë Anton Prela. Ndërsa dorasi është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës pasi ndodhet në arrati.
I dyshuari për vrasjen është Tush Frroku (1975). Siç ka bërë të ditur Policia, i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur me pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit. Policia është vënë në ndjekje dhe në fshatin Kosh të Istogut ka gjetur veturën e braktisur. Viktima në këtë rast është shtetas i Zvicrës.
Vrasja e tretë ku mbeten edhe tre të plagosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në fshatin Runik të Skenderajt në një lokal. Viktima është një 39-vjeçar.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.