“Non-paper”, sipas së cilës Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur është një lloj baloni provues, kryesisht për Kishën Ortodokse Serbe (KOS)”, ka thënë kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiq. Ai pretendon se kjo letër ka “një peshë të caktuar, por gjithashtu se nuk përfaqëson ndonjë inkurajim për Kishën Ortodokse Serbe”.
“Nuk ka momente të reja në atë letër përveç statusit të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe, e cila është pengesa më e madhe për nënshkrimin e një marrëveshje që do të kishte efektin juridik të njohjes së sovranitetit juridik ndërkombëtar të Kosovës, dhe për këtë arsye, ndryshe nga dokumentet e mëparshme, shumë hapësira i kushtohet statusit të ardhshëm të kishës”, ka deklaruar Jeremiq për Newsmax Adria.
Jeremiq vuri në dukje se në “non-paper-in” e fundit, si në letrat e tjera të mëparshme, anëtarësimi i Kosovës në KB është më i rëndësishmi. “Kur të hapni rrugën për anëtarësimin e Kosovës në KB, atëherë ju keni humbur të gjithë kontrollin mbi atë që do të ndodhë në atë rajon në të ardhmen. Nuk ka përdorim juridik ndërkombëtar që ndalon dy vendet sovrane të marrin një vendim mbi bashkimin, të cilin Shqipëria dhe Kosova mund të bëjnë nëse Kosova anëtarësohet në KB”, ka pretenduar Jeremiq./Insajderi.org.