
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar zonat e prekura nga zjarret masive në Serbi, ku mbi 300 shtëpi janë dëmtuar ose djegur.
Gjatë vizitës, një video e tij u bë virale, ku shihet duke iu drejtuar ashpër ministrit të Bujqësisë, Dragan Glamoçiq, për ndihmën ndaj banorëve të prekur: “Nuk është ‘provo çka mundesh’, por do ta bësh siç të thashë unë”, raporton Nova rs.
“Glamoçiq, për këto fshatra… Prandaj janë të shtrenjta edhe kumbulla edhe qershia, se nuk ka. Edhe vishnje. Po e ndërpres lidhjen sepse nuk jam në qendër të Beogradit, por diku tjetër, Glamoçiq. Hajde, shiko tani vetëm si të ndihmohen njerëzit që janë goditur nga zjarret, ku u ka djegur bagëtitë. Nuk mundemi t’ua kompensojmë të gjithën, por aq sa mundemi, ndihmojini”, dëgjohet duke i bërtitur Vuçiq, ministrit në telefon, ndërsa po xhirohej nga gazetarët.
“Aty ku janë djegur bagëtitë nga zjarret, shiko si t’u ndihmojmë njerëzve. Nuk mund t’u japësh të gjithën, por aq sa mundesh, ndihmoji. Vizito çdo shtëpi. Hajde. Nuk është ‘provo dhe shiko çka mundesh’, por do ta bësh ashtu siç të thashë unë. Jo, more, do ta bësh siç të thashë unë, jo çka mundesh ti. Kjo është përgjigjja. Hajde, tungjatjeta”, shtoi Vuçiq.
Serbia shpalli gjendje të jashtëzakonshme në pesë komuna, ndërsa situata nisi të përmirësohej falë reshjeve të para pas dy muajsh thatësie.