Një aksion është zhvilluar mëngjesin e sotëm në Pejë i cili ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të Njësitit për Patentë Shoferë.
Arrestimin e disa persona për Insajderin e ka konfirmuar kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj.
“Mundem me konfirmu për momentin që Prokuroria e Pejës në bashkëpunim me prokuroren, Valbona Gjocaj edhe Drejtorinë Rajonale janë duke e zhvilluar këtë aksion, dhe ka të arrestuar”, tha ai.
Ndërkohë, detaje për aksionin dha edhe prokurorja e rastit, Valbona Disha – Haxhosaj.
Ajo theksoi se përveç në Pejë aksioni është shtrirë edhe tri komuna tjera.
“Kam urdhëruar veprime dhe arrestime siç edhe jeni njoftuar, në një aksion që është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Arrestimet janë kryer në Pejë, në Njësinë e Patent shoferëve dhe të sqarojmë se poashtu kam urdhëruar veprime dhe arrestime edhe në komunat Deçan, Fushë Kosovë dhe Prishtinë të cilat ndërlidhen me Pejën. Detajet do ti përgatisim, mirëpo është me rëndësi për opinionin që të sqarojmë zonën e shtrirjes së aksionit. Pra kemi të bëjmë me Pejën, Deçanin, Fushë Kosovën dhe Prishtinën, porse të gjitha ndërlidhen me Pejën”, tha Haxhosaj për “Radio1”, përcjell Insajderi.
Për aksionin është deklaruar edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, duke konfirmuar se janë arrestuar disa zyrtarë të njësisë për patentë shoferë, shkruan Insajderi.
“Porsa mora lajmin se në Pejë kanë ndodhur arrestime të zyrtarëve, të cilët kanë punuar më patentëshoferë, ne me kohë i kemi denoncuar këto raste, kohë më parë e kemi mbajtur edhe një konferencë ku i kemi paraqitur të gjitha gjetjet, që kanë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin në njësinë për patentëshoferë në Pejë”, ka deklaruar ai.
“Shpresoj që e gjithë kjo do të shkojë deri në fund dhe të gjithë të marrin dënimin e merituar, ne jemi të pakompromis në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Unë sot gjatë ditës, do ta bëj edhe një vizitë në Qendrën për patentëshoferë ne Pejë për të se atje po zhvillohet puna normalisht”, u shpreh Durmishi.
Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…