×
  • Lajme
  • Analiza

    Johumane dhe brutale – Qeveria Kurti ndëshkon një grua me kancer: Ka munguar pesë ditë në punë

    Insajderi
    27 October 2022 - 13:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi të mërkuren ka dënuar një zyrtare të këtij dikasteri. Bëhet fjalë për zyrtaren M.F. e cila është dënuar me 20% të pagës, me arsyetimin “Braktisje e punës ose mungesë e pa arsyeshme dhe e vijueshme për pesë ditë pune apo më shumë”. Gazeta Insajderi merr vesh se arsyeja pse punëtorja M.F ka munguar është se ajo është diagnostikuar me kancer.

    Muaji tetor, është muaji kushtuar ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të popullatës mbi kancerin e gjirit.

    Gjatë këtij muaji, krerët e lartë të shtetit Vjosa Osmani, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, kanë bërë thirrje për ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundje.

    Osmani nga Klinika e Onkologjisë bëri të ditur se nga viti i ardhshëm Presidenca do të mbulojë një pjesë të madhe të donacioneve për t’i ndihmuar gratë të tejkalojnë momentet e vështira. Derisa, kryeministri Kurti ka nderuar të mbijetuarat e kancerit duke i quajtur guximtare që luftojnë çdo ditë këtë sëmundje.

    Derisa ministrja Haxhiu u ka bërë thirrje, grave dhe vajzave të rrisin kujdesin ndaj vetes në mënyrë që të parandalojnë sëmundjen e kancerit të gjirit.

    Përkundër të gjitha këtyre thirrjeve të pushtetarëve për sensibilizim e ndërgjegjësim, një shkelje e rëndë ka ndodhur në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, të udhëhequr nga Elbert Krasniqi.

    Ky i fundit, gjatë këtij muaji nuk e ka thënë asnjë fjalë për gratë që luftojnë me kancerin e gjirit. Por brenda dikasterit që ai e drejton, është ndërmarrë një veprim aspak human ndaj një punëtoreje që është diagnostikuar me kancer, shkruan Gazeta Insajderi.

    Me urdhër të ministrit të MAPL-së, Elbert Krasniqi të mërkurën është dënuar zyrtarja me 20% të pagës.  

    Në arsyetimin e komisionit disiplinor, thuhet se zyrtarja M.F ka bërë shkelje të rëndë disiplinore “Braktisje e punës ose mungesë e pa arsyeshme dhe e vijueshme për 5 ditë pune apo më shumë”.

    Procedura disiplinore është iniciuar nga Nikola Aksic, në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejt.

    Gazeta Insajderi mëson se zyrtarja në fjalë pasi është diagnostikuar me kancer, ka nisur edhe trajtimin me kimioterapi, që është një ndër arsyet kryesore pse ajo nuk ka qenë prezente fizikisht në punë.

    Zyrtarja M.F, para komisionit disiplinor, kishte dëshmuar me dokumente se për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk ka mundur të paraqitet në punë.

    Ajo madje ka treguar se emaili i saj zyrtar nuk ka qenë aktiv për shkak të një gabimi teknik.

    “Sa i përket e-mailave të dërguar nga udhëheqësi nuk kam pranuar asnjë e-mail, pasi pa dijeninë dhe fajin tim e-mailin e kisha pasur jo aktiv, për shkak të gabimit teknik tek emri që është bërë nga ASHI”, ka thënë ajo.

    Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Insajderi, raportet mjekësore që ka paraqitur kjo zyrtare vërtetohet gjendja e rëndë shëndetësore e saj, si dhe problemet emocionale të shkaktuara nga sëmundja.

    “Sipas raportit mjekësor lëshuar nga Klinika e Neurologjisë, zyrtarja për shkak të sëmundjes së rëndë patologjike dhe specifikave të sëmundjes, i është prekur sfera emocionale dhe për këtë arsye ka pranuar tretman mjekësor për tre muaj, si dhe nevojën për trajtim të vazhdueshëm, për shkak të natyrës së rëndë të sëmundjes, zyrtarja thekson para komisionit se ka pasur ndryshime fizike në pamjen e jashtme, dhe për këtë arsye ka pësuar tronditje emocionale, si dhe çrregullime të përziera, mikse të ankthit që dëshmohet edhe nga raporti i specializuar mjekësor”, thuhet në vendimin e MPAL-së të siguruar nga Insajderi.

    Gjithashtu, komisioni konstatoj se ndaj zyrtares në fjalë, nuk është shqiptuar paraprakisht ndonjë vërejtje verbale apo me shkrim nga udhëheqësi i drejtpërdrejt i saj, lidhur me mungesën në punë.

    Pa marrë parasysh gjendjen e rëndë të M.F të cilën e kanë vërtetuar edhe raportet mjekësore, ajo është ndëshkuar me masën disiplinore “ndalimi i 20% të pagës për një muaj”. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark