
Qeveria e Jordanisë e ka ndaluar Vëllazërinë Myslimane një javë pasi tha se anëtarët e grupit islamik ishin arrestuar nën dyshimin për planifikimin e sulmeve me raketa dhe dron.
Ministri i Brendshëm jordanez, Mazen al-Faraya tha në një konferencë shtypi se të gjitha zyrat e Vëllazërisë do të mbyllen dhe asetet e saj do të konfiskohen, si dhe çdo aktivitet i tyre do të konsiderohet i paligjshëm, raporton BBC.
SHIH EDHE:
Vëllazëria Myslimane më herët mohoi çdo lidhje me komplotet e sulmit në mbretërinë jordaneze.
Nuk dihet se si do të ndikojë ky ndalim në krahun politik të grupit, Frontin e Veprimit Islamik (IAF), i cili është grupi më i madh opozitar në parlament. Gjithsesi, selia e saj u bastis nga policia pas njoftimit të Faraya.
Sekretari i përgjithshëm i IAF, Wael Saqqa, këmbënguli se ishte parti politike e pavarur, duke shtuar se ajo nuk kishte “asnjë marrëdhënie me asnjë organ tjetër organizativ”, përcjell Insajderi.
“Ne gjithmonë deklarojmë se jemi të përkushtuar ndaj rendit, ligjit dhe dispozitave të Kushtetutës”, tha ai.
Në vitin 2020, gjykata e lartë e Jordanisë vendosi që Vëllazëria të “shpërbëhet” sepse nuk e kishte zgjidhur statusin e saj ligjor.
Megjithatë, grupi vazhdoi aktivitetet e tij politike dhe të tjera, si dhe IAF mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, duke fituar 31 nga 138 ulëse.
Javën e kaluar, Departamenti i Inteligjencës së Përgjithshme të Jordanisë tha se kishte arrestuar 16 persona të dyshuar për planifikimin e sulmeve që synonin “shënjestrimin e sigurisë kombëtare, mbjelljen e kaosit dhe sabotazhin“.
Atyre iu gjetën eksplozivë dhe armë automatike dhe një raketë gati për t’u lëshuar, një projekt për prodhimin e dronëve dhe trajnimin e individëve si në Jordani ashtu edhe jashtë saj, tha ai.
Faraya pohoi gjatë konferencës për shtyp të së mërkurës se anëtarët e Vëllazërisë “operojnë në hije dhe angazhohen në aktivitete që mund të minojnë stabilitetin dhe sigurinë”.
Autoritetet kishin gjetur “eksplozivë dhe armë të transportuara midis qyteteve jordaneze dhe të ruajtura në zona të banuara“, si dhe objekte të fshehta të prodhimit të raketave dhe operacione trajnimi dhe rekrutimi.
Ai tha gjithashtu se anëtarët e Vëllazërisë kishin tentuar të hiqnin dhe të shkatërronin dokumentet nga selia e tyre “në një përpjekje për të fshehur aktivitetet dhe lidhjet e tyre të dyshimta“.
Grupi ka mohuar të ketë ndonjë përfshirje ose njohuri për komplotin e supozuar të sulmit dhe theksoi se është “i përkushtuar ndaj qasjes së tyre paqësore“.
Vëllazëria u themelua në Egjipt pothuajse 100 vjet më parë dhe ka degë lokale në të gjithë botën. Një nga synimet e tij është krijimi i një shteti të sunduar nga ligji islam, ose Sheriati.
Sheriati është i jashtëligjshëm në Egjipt dhe disa vende arabe, qeveritë e të cilave e shohin atë si kërcënim. /Insajderi.org/