Ka a s’ka Kuvend? Të gjithë thonë “Jo”, LVV-ja thotë “Po” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ka a s’ka Kuvend? Të gjithë thonë “Jo”, LVV-ja thotë “Po”

    Insajderi
    01 September 2025 - 17:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për njërin nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Ismet Salihun, Kuvendi nuk është konstituuar ende, pavarësisht se kryetari i tij thotë të kundërtën.

    “Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ndodh vetëm kur plotësohen të gjitha organet – kryetari, nënkryetarët dhe komisionet. Deri atëherë, ky Kuvend nuk mund të konsiderohet i konstituuar”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

    Kryekuvendari Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive më 30 gusht, edhe pse nënkryetari serb nuk ishte zgjedhur.

    Nga pesë nënkryetarët e kërkuar me Kushtetutë, katër u zgjodhën – tre shqiptarë dhe një përfaqësues i pakicave joserbe – ndërsa i pesti, nga komuniteti serb, nuk arriti t’i siguronte votat e mjaftueshme.

    Basha tha se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e tij janë shteruar dhe se seanca mund të konsiderohet e përfunduar.

    “Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti ai më 1 shtator.

    Pas krijimit të kësaj situate, Salihu sugjeron që të pritet zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese.

    Më 30 gusht, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kuvend – paraqiti ankesë në Kushtetuese, për mënyrën e votimit të nënkryetarit serb, duke kritikuar veprimin e Bashës që i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe përdori shortin për kandidatët serbë.

    “Kushtetuta është shumë e qartë: grupi më i madh parlamentar i partive të komunitetit serb ka të drejtën të propozojë kryetarin ose nënkryetarin e Kuvendit”, shpjegon Salihu.

    “Prandaj, serbëve u është bërë një padrejtësi, sepse nënkryetarin nga komuniteti serb kishte të drejtë ta propozonte vetëm Lista Serbe, pa marrë parasysh se a duam a nuk duam ne”, shton ai.

    Lista Serbe propozoi vetëm Sllavko Simiqin për nënkryetar, por ai nuk arriti t’i siguronte 61 votat e nevojshme në asnjë nga tri rundet e votimit, ndaj Basha përdori shortin për të dhjetë deputetët serbë – nëntë nga Lista Serbe dhe një nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

    Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, konsideron se “të gjithë kanë bërë gabime”.

    “Në parim, procedura është shkelur edhe nga kryetari i Kuvendit, edhe nga përfaqësuesit serbë, sepse nuk kanë vazhduar me propozime, sipas rregullit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Tani asgjë… Na mbetet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila besoj se do ta kthejë procesin e votimit për përfaqësuesit e komuniteteve në Kryesinë e Kuvendit… e sa do të zgjasë kjo, nuk e di”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas vlerësimit të tij, këto lëvizje janë bërë, në fakt, për ta vonuar konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e procedurave për formimin e Qeverisë së re.

    “Që nga fillimi ka ekzistuar e njëjta strategji: vonimi i proceseve për të siguruar një shumicë ndryshe parlamentare, duke krijuar rrethana që eventualisht do të favorizonin mbështetje më të madhe politike për një subjekt të caktuar, në këtë rast – kryesisht – për fituesen e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje”, thotë Rashiti.

    Dyshime të ngjashme janë shfaqur më herët edhe nga vëzhgues të tjerë, pasi Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka siguruar mjaftueshëm vota në zgjedhjet e 9 shkurtit për të qeverisur e vetme.

    Rashiti thotë se këto “manovra politike” kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por “kanë qenë më transparente”.

    “Kam përshtypjen se të gjithë janë të vetëdijshëm se procedua [e konstituimit të Kuvendit] nuk është mbyllur dhe askush nuk do ta marrë veprimin për formimin e Qeverisë”, thotë ai.

    Me ligj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e Qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit.

    Pas një takimi që zhvilloi më 1 shtator me kryekuvendarin Basha, zyra e saj tha se “ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”.

    Por, Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, konfirmon po ashtu se Kuvendi nuk është plotësisht i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.

    “Neni 67 i Kushtetutës e thotë shprehimisht se Kryesia e Kuvendit përbëhet nga kryetari dhe pesë nënkryetarë, përfshirë detyrimisht një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë”, thekson Çerkini për Radion Evropa e Lirë.

    “Rregullorja e Kuvendit e konfirmon se seanca konstituive nuk mund të quhet e përfunduar pa këtë hap. Kjo çështje është përcaktim i qartë kushtetues”, sipas tij.

    Për konstituimin e plotë të Kuvendit, që nga 15 prilli, janë ndërmarrë dhjetëra përpjekje, por pa rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

    Çështja është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë dy vendime me afate dhe udhëzime për zhvillimin e procesit.

    Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti skadon më 18 shtator.

    Më 1 shtator, Basha thirri një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit për t’u konsultuar mbi funksionimin e institucionit, por ajo nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit.

    Dy nënkryetarë të partive ish-opozitare, që nuk pajtohen me vendimin e Bashës për seancën konstituive, nuk morën pjesë.

    “Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët. Kryesia e Kuvendit ka të zgjedhur pesë nga gjashtë anëtarët e saj. Mbi 80 për qind e Kryesisë është funksionale dhe besoj se kemi kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar punët tona”, këmbënguli Basha. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark