×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Ka mjaftë prova që UÇK nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”

    Insajderi
    08 May 2022 - 21:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale në Hagë po i akuzon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

    Për këtë akuzë për InDoks ka folur anëtari i Ekipit Mbrojtës të Thaçit, njëherit ish-këshilltari i tij, Bekim Çollaku.

    Sipas tij kjo akuzë është paradoks i llojit të veçantë.

    “Unë nuk jam jurist nga profesioni mirëpo e di nga ajo çfarë kam lexuar që termin “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” ose akuza për ‘Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale’ është ndër akuzat më të vështira të cilat do të mund t’i dëshmonte ose t’i provonte një proces gjyqësor. Këtë po e them duke marrë në konsideratë proceset e kaluara, por në rastin konkret të akuzosh disa pjesëtarë që kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe njëkohësisht anëtarë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës si pjesëmarrës në një organizatë të përbashkët kriminale me të vërtetë është paradoks i llojit të veçantë”, tha Çollaku për InDoks.

    “Sepse sipas kësaj logjike i bie që të gjithë anëtarët e Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, rrjedhimisht të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe në anën tjetër të gjithë anëtarët e Qeverisë së përkohshme të Kosovë kanë qenë anëtarë të një organizatë të përbashkët kriminale. Dhe kjo gjë fatkeqësisht figuron edhe në aktakuzën e ngritur në këtë rast pikërisht në paragrafin 35 të kësaj aktakuze, bëhet një cilësim dhe specifikim i tillë, unë mendoj që kjo do të ketë pasoja të tmerrshme nëse një aktakuzë e tillë do të mund të provohej, e unë nuk pres që një aktakuzë e tillë do të mund të provohej në një proces të drejt gjyqësor”, ka thënë ai.

    Ai është shprehur se “duam që ky proces të jetë i drejt mirëpo nuk ka asnjë lloj mundësie të dëshmohet një gjë e tillë sepse elementet bazike për ta përmbushur këtë narracion ose këtë definicion të organizatës së përbashkët kriminale nuk ekzistojnë në aktakuzën e tillë”

    Çollaku për InDoks deklaroi se është i bindur që aktakuzë ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të bie. Përmendin edhe ndihmën që në të kaluarën Kosova e kishte nga shtetet anëtare të NATO-s.

    “Prandaj, jam i sigurt që aktakuza e tillë do të bie dhe është  plotësisht e paqëndrueshme mirëpo qëllimi është tepër tmerrues dhe tepër tendcioz sepse nëse kriminalizohet e gjithë Ushtria Çlirimtare, Qeveria e përkohshme atëherë i bie që i gjithë që populli i Kosovës që ka luftuar për liri është pjesëmarrës në një organizatë të përbashkët kriminale dhe rrjedhimisht edhe ata që na kanë ndihmuar në fitimin e lirisë tonë duke përfshirë shtetet anëtare të NATO-s paskan qenë pjesëmarrës në një organizatë të përbashkët kriminale  dhe kjo është e pa dëgjuar e pa parë mirëpo jam i sigurt që do të jetë e pamundur që të provohet në një proces të drejt gjyqësor”.

    Edhe avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Pierre Prosper theksoi faktin se si në çlirimin e Kosovës ndikimin kishte edhe komunitetit ndërkombëtar. Si rrjedhojë nuk mund të cilësohet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.

    “Absolutisht që ne do ta sfidojmë këtë sepse UÇK-ja ishin partnere me komunitetin ndërkombëtar ata janë të mbështetur nga ai komunitet në përpjekjet dhe lëvizjet e tyre në drejtim të luftimit të serbëve. Ka mjaft prova që UÇK-ja ishte në partneritet me komunitetin ndërkombëtar- që nuk ishte organizatë kriminale”, tha Prosper.

    Për termin “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, foli edhe Amer Alija, Fondi i të Drejtës Humanitare. Tha se në Kosovë është keq-interpretuar.

    “Po kjo terminologji ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ shpesh është keq-interpretuar edhe në Kosovë. Ndoshta edhe nga mos dijenia e kësaj terminologjie për arsye se tingëllon shumë ngjashëm si ndërmarrje kriminale, ndërmarrje e përbashkët kriminale dallon prej ndërmarrjes kriminale pra, UÇK nuk është një ndërmarrje kriminale, ndërmarrja kriminale është kur një organizatë kriminale e ka një qëllim kriminal pra edhe anëtarësimin në atë ndërmarrje kriminale është i sanksionuar, anëtarësimi në UCK nuk është sanksionuar dhe çdo kush që ka luftuar në UÇK nuk ka marrë pjesë në ndërmarrje kriminale. Ndërmarrje e përbashkët e kriminale është forma e përgjegjësisë kriminale ku një grup i anëtarëve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale e kanë një qëllim dhe një plan që ta kryejnë një krim pra me fjalë më të thjeshta ndërmarrje e përbashkët kriminale mund ta quajmë si me ligjet e Kosovës, si bashkë-kryerje pra nuk është ndërmarrje kriminale”, u shpreh Alija për InDoks.

    Dokumentari i plotë InDoks | Gjykata anti-UÇK:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark