"Ka mungesë të NaCl-së", "Operacionet janë anuluar" – Si po e arsyeton ShSKUK mungesën e produktit jetik? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ka mungesë të NaCl-së”, “Operacionet janë anuluar” – Si po e arsyeton ShSKUK mungesën e produktit jetik?

    Insajderi
    24 March 2025 - 10:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qytetarët e Kosovës kanë filluar të ankohen për mungesën e tretjes NaCl (solucion fiziologjik 0.9%), një produkt i domosdoshëm për trajtime mjekësore. Ata raportojnë se kanë hasur në vështirësi për ta gjetur këtë produkt në farmacitë dhe barnatoret e vendit. Pas reagimeve, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës e mohuan fillimisht këtë mungesë, por Shoqata e Distributoreve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës ka konfirmuar se NaCl ka mungesë në treg.

    Qytetarët e Kosovës kanë shprehur shqetësime të shumta për mungesën e tretjes NaCl (salinë natriumi), një produkt thelbësor për shumë procedura mjekësore.

    Ata janë ankuar në redaksinë e Gazetës Insajderi se janë përballur me vështirësi të mëdha për ta gjetur këtë produkt në farmacitë dhe barnatoret e vendit.

    “Qe disa ditë kam kërkuar tretje NaCl në farmacitë e qytetit, por askund nuk kam gjetur”, i tha një qytetar Insajderit.

    “Në spitalin e qytetit tonë, më thanë se nuk kanë më NaCl për t’u përdorur. Kjo është një situatë e papranueshme“, tha një tjetër.

    “Kërkova NaCl në farmacitë e qytetit, por të gjithë më thanë se janë pa të“, tha tjetri.

    Tretja NaCl është e nevojshme për trajtime emergjente dhe është një nga produktet më të përdorura në kujdesin intensiv dhe spitalor.

    Pavarësisht ankesave të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës e mohuan fillimisht mungesën e këtij produkti.

    Ata theksuan se furnizimi me NaCl ka qenë i mjaftueshëm dhe se nuk kishte pasur mungesa.

    Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se të gjitha institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor janë furnizuar me NaCl 0.9% sipas kërkesave të rregullta të QKMF-ve, duke theksuar se nuk kishte pasiguri në furnizim.

    “Ju informojmë se Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar të gjitha institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor me produktin NaCl 0.9% 500ml dhe NaCl 0.9% 100ml, sipas planifikimit dhe kërkesave të rregullta të QKMF-ve në nivel vendi. Andaj, konsiderojmë se nuk ka mungesë të këtij produkti”, thuhej në përgjigjen e MSH për Insajderin.

    “Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar ka në kompetencë klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme, të cilat i ka furnizuar në sasi të mjaftushme”, thuhej në përgjigjën e SHSKUK-së.

    “Racionalizimin e kërkesave”

    Megjithatë, pas një periudhe reagimesh dhe ankesash të vazhdueshme nga qytetarët, institucionet përkatëse filluan të flasin për “racionalizimin e kërkesave”.

    Në përgjigjen për Insajderin, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar e shpjegoi këtë term, duke thënë se nuk kanë ndaluar furnizimin me NaCl, por se ky furnizim po bëhet në mënyrë selektive.

    Kjo do të thotë se produkti po shpërndahet në përputhje me nevojat e urgjencës, dhe jo për çdo kërkesë.

    “Fjalia e cekur nga gazetarja, e marrë nga përgjigja jonë zyrtare në lidhje me ‘racionalizimin e kërkesave’, nuk do të thotë që ne kemi ndaluar furnizimin. Për arsye të menaxhimit më të mirë, jemi përpjekur që këtë furnizim ta bëjmë në atë mënyrë që të jetë nën kontroll shpenzueshmëria, duke mos lejuar që të mbesim pa produktin në fjalë përpara kohe,” ka thënë Dardane Mehaj, shefe e sektorit të furnizimit me barna dhe material shpenzues-medicinal në ShSKUK.

    Në anën tjetër, Shoqata e Distributoreve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se ka vërtetë mungesë të NaCl-së në treg.

    Distributoret dhe importuesit kanë kërkuar që Ministria e Shëndetësisë të miratojë çmimet e reja për këtë produkt, në mënyrë që ata të mund të aplikojnë për leje importi në AKPPM dhe të realizojnë procedurat për furnizim dhe shpërndarje të NaCl-së.

    “Sipas informatave nga distributoret dhe importuesit, aktualisht ka mungesë të produktit NaCl. Pas aplikimit për ndryshim të çmimeve nga ana e distributoreve pranë Ministrisë së Shëndetësisë, pritet që shumë shpejt MSH të miratojë çmimet e NaCl-së dhe produkteve të tjera, sipas listës së publikuar më 13.03.2025, në mënyrë që distributoret të mund të aplikojnë për leje importi në AKPPM dhe të realizojnë procedurat për furnizim dhe shpërndarje të këtyre produkteve”, thuhet në përgjigjen e shoqatës.

    Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, ka deklaruar se pesë qytetarë në Spitalin e Mitrovicës kanë mbetur pa operacione të planifikuara.

    Ai tha se operacionet janë anuluar për shkak të mungesës së tretjes fiziologjike NaCl, e cila është e mjaftueshme vetëm për raste emergjente.

    Vitija paralajmëroi se kjo gjendje do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke shtuar se operacionet do të anulohen nëse spitali nuk furnizohet mjaftueshëm nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark