Vëllai i Liridona Ademaj Murseli, Leonard Ademaj ka folur në lidhje me vrasjen e motrës së tij, e cila dyshohet se u privua nga jeta me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, shkruan Insajderi.
Ai tha se vrasja e motrës së tij ka ndodhur brenda veturës, derisa shtoi se motiv për këtë mund të jenë sigurimet në Suedi që i kishte pasur Liridona.
Leonardi tha se Suedia paguan shuma marramendëse nëse i ndodh diçka njërit prind.
“Çka mundem me ditë, e çka na shkon mendja është se Liridona ka pasur sigurime në Suedi. Sigurimi në Suedi paguan shuma marramendëse nëse i ndodhë një fatkeqësi njërit ose tjetrit prind. Ose mund me kon që ka mundur me mbet pa pare, me pas borxhe edhe me privuar nga jeta motrën tonë me ja marrë paret e sigurimit“, u shpreh Leonardi për RTK.
Tutje, Leonardi tregoi se çfarë i kishin thënë fëmijët e Liridonës në momentin e vrasjes së inskenuar përmes hajnave.
“Atë ditë ka ndodhur krejt rasti. Djali e kish pas shtrënguar dorën shumë. Kur jam shkuar në polici mu ka ofruar më ka përqaf, dajë tha hajni mi ka lyp paret po unë s’ja kom dhënë e ka qel dorën i kish pas paret aty“, rrëfen ai.
Familjarët e Liridonës kanë kërkuar zhvarrimin e trupit të saj nga Cermjani dhe varrosjen e saj në fshatin Rracaj, aty ku edhe jetojnë familja e ngushtë.