Ndërmarrja “Termokos” i ka dhënë tender kompanisë “Eurosig”. Për përzgjedhjen e bërë nga kjo ndërmarrje, është deponuar një ankesë në Gjykatën e Tenderëve. Pasi kjo kompani për deklaratën nën betim dhe dokumente të tjera të tenderit ka angazhuar Petrit Hoxhën. I njëjti del se është autorizuar nga ish-kryeshefi që ka ndërruar jetë, Altin Ponari. Kjo ka bërë që të ngriten dyshime se dokumentet janë jovalide. Dyshimet për këtë tender nuk ndalen këtu, pasi ka edhe akuza për favorizim dhe shkelje të kritereve.
Gazeta Insajderi
“Termokos” ia ka besuar tenderin për “Shërbimet e sigurimit Shëndetësor për Stafin”, kompanisë “Eurosig”.
Vlera e kësaj kontratë është 234 mijë euro.
Në garë ishin edhe tri kompani të tjera.
Dyshimet për këtë tender janë ngritur nga operatorët e tjerë ofertues.
Cilat janë akuzat ndaj kompanisë “Eurosig”?
‘Termokos’ me shpalljen e “Eurosig” fituese, dyshohet se ka shkelur ligjin. Sipas një kompanie, që ka qenë pjesëmarrëse në këtë tender “Eurosig” është favorizuar nga kjo ndërmarrje.
Në ankesën e dorëzuar në OSHP, thuhet se kjo kompani nuk ka përmbushur kriteret si kapacitetin ekonomik dhe dokumentet e tjera që i janë kërkuar si dëshmi.
“OE i rekomanduar për kontrate, nuk ka përmbushur kërkesën për kapacitetin ekonomik dhe financiar, duke mos prezantuar raportin e auditimit te jashtëm, raport i cili paraqet humbjet e akumuluara dhe nga qasja ne webfaqen e OE te rekomanduar për kontrate ,munde te vërtetohet lehtë se OE i rekomanduar për tri vite te fundit ka humbje te akumuluara me vlere milionëshe”
“Po ashtu, OE i rekomanduar nuk ka përmbushur kërkesën për dëshminë e kartelës shëndetësorë d.m.th. nuk ka prezantuar asnjë format apo mostër te kartelës por ne vend te mostrës ka dorëzuar një deklarate, e cila nuk është e barasvlershme dhe e nënshkruar nga persona jo kompetent. AK ka vepruar ne kundërshtim me NENIN 60, pasi qe oferta e jone është e përgjegjshme dhe ka çmimin me te lire dhe rrjedhimisht do duhej te rekomandohet për shpërblim me kontrate“, thuhet në ankesë.
Tutje, aty është kontestuar edhe vlefshmëria e dokumenteve.
Sipas kompanisë ankuese personi që ka firmosur nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore.
“AK-ja ka vepruar ne kundërshtim me kerkesat e pershtatshmërisë dhe pranueshmërisë, pasi qe te gjitha dokumentet e firmosura nga zyrtari/personi i OE te rekomanduar për kontrate, janë te pavlefshme dhe ne kundërshtim me LPP-ne pasi qe personi qe ka firmosur nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore ne kompani dhe nuk ka autorizim nga drejtori /krye shefi ekzekutiv apo ndonjë person ligjore qe munde te autorizoje, për ketë rast ka edhe Opinion te KRPP-se“, thuhet ndër të tjera.
Deklarata nën betim është firmosur nga Petrit Hoxha, i cili ka prezantuar një autorizim nga ish-kryeshefi që ka ndërruar jetë, në mars të këtij viti.
Prandaj dyshohet se ky autorizim është jo valid.
“Ne rastin konkret personi qe ka firmosur deklaratën nen betim dhe gjitha deklaratat ne emër te KS Eurosig Sh.a, janë te pavlefshme pas qe ky person nuk ka asnjë autorizim nga personat zyrtare – ligjore qe mbajnë pozita udhëheqëse-drejtuesi ne kompani dhe te cilët munde të delegojnë përgjegjësi autorizuese sipas ligjit. Autorizimi i prezantuar për personin i cili ka firmosur dokumentet e tenderit respektivisht z. Petrit Hoxha, është firmosur nga Altin Ponari i cili ka kohë qe ka ndërruar jetë dhe ky autorizim është jo valid. Për te pasur me te qartë, me poshtë po ju paraqesim dëshminë e autorizimit te prezantuar nga OE i rekomanduar për kontrate – KOMPANIA E SIGURIMEVE EUROSIG SH.A“, thuhet në ankesë.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me kompaninë “EUROSIG” për të marrë sqarime se pse është përdorur autorizimi nga një person që tashmë ka ndërruar jetë, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Insajderi.org/