Sot është mbajtur seanca kundër Driton Sylejmanit dhe tre të tjerëve, të cilët u arrestuan të hënën nga policia.
Në seancën e cila ka qenë e mbyllur për media, Insajderi merr vesh që Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim.
Pas seancës, Insajderi ka tentuar të flasë me avokatë të të dyshuarëve, por as ata nuk kanë pranuar të prononcohen pikërisht për këtë arsye.
Siç merr vesh Insajderi në këtë rast prokuroria do të zgjerojë hetimet dhe do të përfshihen edhe persona të tjerë.
Deri në këto momente gjykata ende nuk e ka shpallur vendimin për ta.
Të hënën Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë, ka arrestuar katër persona që dyshohet të jenë përfshirë në veprimtari kriminale.
Aksioni i policisë është kryer në rajonin e Prishtinës.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, arrestimi i personave të dyshuar është bërë në mbështetje të Njësisë Speciale Intervistuese dhe Njësisë së Reagimit të Shpejtë.
Driton Sylejmani, Xhevet Mehanja, Hysen Hoxha dhe Tefik Shalaku, janë të dyshuar për tentim vrasje, rrahje, detyrim, zjarrvënie e vepra të tjera kriminale.
Sipas prokurorisë, dyshohet se ky grup ka operuar me pagesë për të rrahur persona të caktuar.
Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprimtari tjera kriminale me porosi, duke caktuar çmimin varësisht prej intensitetit të aktit.
Katër personat e arrestuar që dyshohen se janë përfshirë në aktivitete të kundërligjshme janë shoqëruar në stacion policor.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.
Gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në pronat e këtij grupi janë sekuestruar: dy armë të gjata, katër armë të shkurtra, 43 fishekë, pesë mijë euro, dy automjete, 4 telefona, mjete të forta.