I dëmtuari Ali Xhyliqi, në cilësi të dëshmitarit, deklaroi se i akuzuari Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit kishte rrahur dhe maltretuar të burgosurit.
“Sjellja e punëtorëve të Burgut të Prishtinës në krye me drejtorin e burgut të asaj kohe Lubomir Çimburoviç ka qenë shumë e keqe, shumë e vrazhdë e posaçërisht ndaj të burgosurve politikë të asaj kohe dhe anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ky i akuzuar si shumë të tjerë kanë rrahur, maltretuar poshtëruar në mënyrat ma çnjerëzore të burgosurit shqiptarë”, tha Xhyliqi.
Një deklarim të tillë i njëjti e tha në gjykimin ku Milenkoviq po akuzohet se në cilësi të gardianit në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndër të tjera ai deklaroi se qëndronte pranë deklaratës së dhënë në polici lidhur me këtë çështje dhe se të akuzuarin Milenkoviq e njihte nga janari i vitit 1997.
“Po e njoh të akuzuarin…të akuzuarin e njoh që nga janari i vitit 1997 i cili unë në atë kohë isha i burgosur ndërsa i akuzuari gardian në Burgun e Prishtinës dhe në këtë cilësi e njohë”, tha Xhyliqi
I njëjti tha se nga 1 shkurti i vitit 1997 deri në korrik të vitit 1998 kishte qëndruar në burg dhe se ai ishte arrestuar si pjesëtar i UÇK-së.
“Unë jam arrestuar më 31 janar të vitit 1997 si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa me aktgjykim të shkalles së parë jam dënuar më 16 dhjetor të atij viti”, tha Xhyliqi.
Sipas tij në Burgun e Prishtinës gardianët kanë gjetur arsye të ndryshme për t’i maltretuar dhe rrahur duke shtuar se i akuzuari Milenkoviq atë personalisht asnjëherë nuk e kishte maltretuar por që kishte raste të tjera që ai kishte bërë maltretime.
“Konkretisht i akuzuari mua nuk më ka maltretuar asniherë por rastet kur ky ka maltretuar të tjerët ekzistojnë sepse mënyra se si unë e di se si ky i ka maltretuar ky të tjerët sa për përshkrim…Burgu i Prishtinës është formë gjysëm rrethi dhe personat që gjinden në dhomat e tjera nuk ki mundësi t’i shohësh e as të dish se kush janë vetem se dëgjoheshin brimat e njerëzve të burgosur që rriheshin nga gardianet dhe rastet kur ky ka qenë në ndërrim kanë ndodhur rrahje maltretime”, tha Xhyliqi.
I njëjti përmendi me emra personat që sipas tij i kishte rrahur i akuzuari Milenkoviq ku në mesin e tyre ishin Agron Ramadani, Bislim Zogaj dhe Valon Berisha.
Dëshmitari Xhyliqi deklaroi se kur ishin kthyer në Burgun e Lipjanit në maj të vitit 1999 ku kishin qëndruar deri në qershor të atij vitin ishte formuar një kordonin nga gardianët e Prishtinës dhe Lipjanit dhe drejtori i burgut Çimburoviç ku në atë kordon ishte edhe i akuzuari Milenkoviq.
“Thash qe ka qenë në kordonin e krijuar nga gardianet dhe policit e kam pa e kam njoftë e kam ditë cili osht njëjtë edhe ky si gjithë të tjerët ka përdorur dhunë”
Po ashtu ai shtoi se sipas tij kordoni në burgun e Lipjanit ndoshta kishte qenë i gjatë diku rreth 100 metra por që i akuzuari në atë kordon nuk e kishte goditur asnjëherë atë por që e kishte goditur një të burgosur tjetër.
“Nuk mund ta kujtoj që më ka goditur mu personalisht por e kujtoj kur një të burgosuri afër meje i ka shtruar pyetjen “ende ti je gjallë” edhe e ka godit ndërsa mua më ka godit ai që ishte afër tij”, tha Xhyliqi.
Në fund dëshmitari tha se ai kishte pasur dhimbje nga goditjet por që nuk kishte thyerje duke shtuar se kërkonte drejtësi nga trupi gjykues dhe parashtronte kërkesë pasurore juridike.
Në këtë seancë u dëgjua edhe i dëmtuari- dëshmitari Arsim Zyba i cili tha se kishte dhënë deklaratë në polici, dhe se qëndron pranë të njëjtës.
I njëjti tha se të akuzuarin Milenkoviq e njihte që nga marsi i vitit 1999.
“Po e njoh unë Dragishën, me 14 mars 1999 kur jom transferu nga burgu i Prizrenit në burg të Prishtinës për arsye shëndetësore”, tha Zyba.
Sipas tij një i burgosur e kishte pyetur se a e din për çka përgjigjesh ku ai ishte përgjigjur se nuk e dinte ku më pas ai i kishte thënë se i akuzuari Milenkoviq do të ia mësonte raportin.
“Tash kur vjen Dragisha ta mson raportin, edhe kur ka ardh numërimi n’mramje se ktu ka qenë rregullore atëhershme e burgut kur t’shkon ni transfer n’burg tjetër sukur kingji kur shkon te kasapi dihet qa e gjan”, tha dëshmitari Zyba
Ndër të tjera Zyba tha se i akuzuari Milenkoviq e kishte rrahur në korridor me pendrek.
“Edhe ka ardh ky edhe e ka qel at kapakun e qelisë, Dragisha qiky person edhe mka vet për çka përgjigjes ti un se kom kuptu se di serbishten hiq asni tro.. edhe mka marr mka qit jashtë n’koridor edhe m’ka rreh, edhe m’ka thanë unë se kom kuptu deri ma kanë përkthy ata kolegët aty kur t’vi nesër n ‘mëngjes ti e mëson raportin”, tha Zyba
Sipas tij aty në burg kishin trajtimi jo të mirë, dhe se i kishin rrahur në shëtitore, në korridor së paku dy herë në ditë duke shtuar se edhe në burgun e Lipjanit sa herë kishin pasur dëshirë i kishin rrahur dhe se i akuzuari Milenkoviq kishte qenë pjesëmarrës në çdo kordon që kishte qenë dhe në çdo maltretim.
Dëshmitari Zyba tha se gardianët kanë bërë kordonin të gjatë dhe se të burgosurit duhej të kalonin përmes tyre dhe se goditeshin nga ta duke shtuar se kishte raste kur të burgosurve ju kishte rënë të fikët dhe se askush nuk u kishte dhënë ndihmë.
Po ashtu ai tha se ishte ftuar nga policia për të dhënë deklaratë lidhur me këtë çështje pasi që koleget tjerë kishin përmendur emrin e tij në deklarime dhe më ai tha se kur kishte dëgjuar në lajme se ishte arrestuar Dragisha Milenkoviq ishte interesuar se a ishte personi që ishte gardian i burgut.
Dëshmitari Zyba tha se kur kishte parë fotografinë e të akuzuarit Milenkoviq në polici menjëherë e kishte ditur se ishte ai dhe se ai edhe sot përngjante me fotografinë që i ishte treguar vetëm se atëherë i kishte flokët e shkurtra ndërsa tani nuk kishte.
Gjithashtu i njëjti tha se kordoni ishte formuar për ti rrahur të burgosurit dhe se ai kishte kaluar në 4 kordonë pasi që në çdo transferim duhej të kalohej në kordonë
Në fund i njëjti tha se dëshironte të parashtronte kërkesë pasurore juridike dhe se ajo çka ju kishte ndodhur në burg ishte e vertetë.
“Na qa kena përjetu t’burgost për dikan i duket sukur dokumentar si serial a kjo osht ni ngjarje shumë e vërtet”, tha Zyba.
Pasi që ishte fundi i orarit seanca përfundoi për të vazhduar në një datë tjetër.
Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.
Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.
Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.