"Ka qenë gabim teknik për shkak të ngarkesës", Zyra noteriale e lavdëruar nga kryetari i Hanit të Elezit përdori vulën me emrin kriminelit serb Jankoviq - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Ka qenë gabim teknik për shkak të ngarkesës”, Zyra noteriale e lavdëruar nga kryetari i Hanit të Elezit përdori vulën me emrin kriminelit serb Jankoviq

    Insajderi
    03 June 2025 - 14:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra Noteriale në komunën e Hanit të Elezit, së fundmi është përballur me një skandal. Në një dokument që është nënshkruar nga kjo zyrë, kishte rënë në sy se krahas emërtimit shqip “Hani i Elezit” është rikthyer edhe emërtimi i kriminelit serb “Gjeneral Jankoviq”, shkruan Insajderi.

    Sipas ish kryetarit të kësaj komune, Refki Suma, ky emërtim i kriminelit serb ishte hequr zyrtarisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2012 pas iniciativës së tij.

    Rreth kësaj çështje kanë reaguar edhe faqet lokale, duke shtuar se “përdorimi i kësaj vule nuk i kishte penguar as noterit e as përgjegjësve komunal”

    Foto e dokumentit të vulosur:

    Kush është noterja e re që ka filluar punën në zyrën noteriale në Hanin e Elezit?

    Më 7 prill 2025, 88 noterë të rinj kanë filluar zyrtarisht ushtrimin e detyrës së tyre në territorin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit me sukses të trajnimit gjashtëmujor dhe certifikimit nga Ministria e Drejtësisë.

    Në rajonin e Ferizajit, më saktësisht në komunën e Hanit të Elezit, notere është caktuar Floransa Sahiti.

    Për fillimin e punës së Sahiti, kishte njoftuar edhe kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi. Ai e kishte lavdëruar hapjen e një zyre noteriale, duke theksuar se është zhvillim i rëndësishëm.

    “Vizituam zyrën e noteres znj. Florensa Sahiti, e cila ka nisur veprimtarinë e saj në qytetin tonë.

    Prania e një zyre noteriale në komunë është një zhvillim i rëndësishëm që u mundëson qytetarëve të kryejnë shërbime ligjore pa pasur nevojë të udhëtojnë jashtë qytetit”, kishte shkruar Ballazhi.

    E ish kryetari i kësaj komune, Rufki Suma ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të kësaj vule me emrin e kriminelit serb, Jankoviq.

    Suma ka thënë se kjo vulë është larguar nga përdorimi para disa viteve.

    “I bëjmë me dije zyrës së noterisë në Han të Elezit dhe opinionit të gjerë se ky emërtim i këtij krimineli është hequr nga përdorimi zyrtar nga viti 2012 pas presionit që i kemi bërë vazhdimisht të gjitha institucioneve si vendore ashtu edhe atyre ndërkombëtare që nga Çlirimi i Kosovës në Qershorin e vitit 1999 deri në mesin e vitit 2012 kur Kuvendi i Kosovës e ndryshoi edhe me ligj emërtimin e Hanit të Elezit në gjuhën serbe dhe nga ajo kohë Hani i Elezit edhe në gjuhën serbe quhet Elez Han,  andaj përdorimi i vulës së noterit me këtë emërtim të kriminelit Jankoviq është në kundërshtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe se Noteri në Han të Elezit menjëherë duhet ta largoj nga përdorimi këtë vulë dhe të nxjerrë vulën e re ku duhet të përdoret emërtimi zyrtar i Hanit të Elezit në të kundërtën do të jemi të detyruar t’ia mbyllim këtë zyrë”, ka shkruar Suma.

    Si ndodhi që u përdor kjo vulë e noterisë, me emrin e kriminelit serb?

    Oda e Noterëve të Kosovës, kanë kërkuar falje. Në reagimin e tyre thuhet se ka qenë gabim teknik për shkak të ngarkesës.

    “Oda e Noterëve të Kosovës njofton opinionin se gjatë procesit të punimit të vulave për noterët e rinj, është bërë një gabim teknik në vulën e noteres së caktuar në komunën e Hanit të Elezit. Ky gabim ka ndodhur për shkak të ngarkesës së jashtëzakonshme dhe afatit të shkurtër kohor në të cilin është dashur të përmbyllet procesi i prodhimit të vulave për të gjithë noterët e emëruar së fundi”.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Hanit të Elezit rreth kësaj çështje, a do të merret ndonjë masë, pas publikimit të këtij teksti kanë kthyer përgjigje.

    “Në reagimin nga Oda e Noterëve të Kosovës , ku kjo e fundit ka konfirmuar përgjegjësinë për këtë gabim dhe e ka cilësuar atë si një problem që ka ndodhur në procesin teknik të përgatitjes së vulës noteriale, pasi që përcaktohet me ligj që Oda e Noterëve të Kosovës bën shtypjen e vulës. Ndërsa komuna nuk është përgjegjëse për lëshimin e vulës noteriale e të ngjajshme.

    Sipas reagimit të Odës së Noterëve të Kosovës nuk ka një rikthim të qëllimshëm apo të ligjshëm të emërtimit të vjetër. Ai është përdorur gabimisht në vulën noteriale, si pasojë e një lëshimi teknik gjatë përgatitjes së saj. Komuna thekson qartë se nuk ka marrë pjesë në asnjë fazë të përgatitjes apo aprovimit të asaj vule.

    Në reagimin zyrtar nga Oda e Noterëve të Kosovës nuk përmendet ndonjë masë ndaj noterit, dhe nuk jepet asnjë sugjerim se noteri është përgjegjës për gabimin. Përkundrazi, thuhet se Oda e Noterëve ka marrë përgjegjësinë dhe ka nisur procedurat për korrigjimin dhe zëvendësimin e vulës. Për këtë pytje ju inkurajojmë që ti shkruani Ministrisë së Drejtësisë dhe Odës së Noterëve të Kosovës pasi që ata janë përgjegjës për shtypjen e vulës sipas Ligjit për Noterinë 06/-010, neni 12 Vula dhe nënshkrimi.

    Insajderi poashtu ka provuar të kontaktojë edhe me noteren e cila pas publikimit të këtij teksti ka kthyer përgjigje.

    “Punimi i vulës noteriale nuk ka qene obligim i imi si notere, bazuar ne nenin 12 te ligjit per noterinë. Vula me është dorëzuar per përdorim nga organet kompetente! Pasi qe është vërejtur gabimi teknik vula është asgjësuar dhe jam paisur me vulën e re! Oda e Notereve ka pranuar gabimin teknik dhe ka kërkuar falje publike per qytetaret e komunës se Hani i Elezit!”.

    Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark