Kabineti Trump dhe dallimet me Presidentin e zgjedhur - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Kabineti Trump dhe dallimet me Presidentin e zgjedhur

    Insajderi
    14 January 2017 - 21:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të emëruarit në postet kyçe të kabinetit Trump po shprehin qëndrime krejt të ndryshme nga ato të Presidentit të zgjedhur, për çështje kryesore si Rusia, Irani, tregtia dhe mospërhapja e armëve bërthamore.

    Disa nga këto kundërshti kanë të bëjnë me temat kryesore që zoti Trump përdori në rrugën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.

    Një ndër premtimet kryesore të fushatës së zotit Trump ishte ndërtimi i një muri përgjatë kufirit SHBA – Meksikë për të ndaluar emigracionin e paligjshëm.

    Por, kur u pyet për këtë gjatë seancës së konfirmimit për t’u bërë sekretar i sigurisë, ish-gjenerali John Kelly, nuk u tregua aq i ashpër sa eprori i tij i ardhshëm.

    “Thjesht një barrierë fizike nuk bën punë”, tha ai.

    Një tjetër tematikë e zotit Trump është miqësimi me Rusinë.

    “A nuk do të ishte e mrekullueshme të merreshim vesh me Rusinë dhe vende të tjera, dhe të gjithë së bashku t’i qepeshim ISIS-it për ta shkatërruar? A nuk do të ishte gjë e mirë?”, kishte thënë zoti Trump.

    Por, i emëruari i zotit Trump për sekretar mbrojtjeje përmendi Rusinë si një ndër tre kundërshtarët kryesorë të SHBA.

    “Mendoj se më e rëndësishme është të pranojmë realitetin e veprimeve të zotit Putin, i cili po përpiqet të prishë aleancën e Atlantikut të Veriut,” u shpreh zoti Mattis.

    Të emëruarit për anëtarë të kabinetit të zotit Trump e distancuan veten nga Presidenti i zgjedhur, për çështje si torturat ndaj të akuzuarve për terrorizëm, apo marrëveshja e Partneritetit Trans-Paqësor.

    Si do të funksionojë ekipi i ri i administratës Trump? John Hudak, i Institutit Brookings, ngre pikëpyetje për funksionimin e këtij lloji rivaliteti të brendshëm.

    “Nuk kemi shenja nga fushata se Donald Trump toleron mosmarrëveshje në ekipin e tij, kështu që mendoj se kjo do të jetë një sfidë e vërtetë për të.”

    Por, deri më tani, zoti Trump nuk duket se e ka problem që disa prej këshilltarëve të tij më të besuar të parashtrojnë opinione krejt të ndryshme, madje u ka kërkuar të thonë atë që mendojnë.

    Seancat e konfirmimeve do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, kur në Senat do të votohet për emrat e propozuar.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark