×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Kadare vlerëson “rikthimin” e Doruntinës

    Insajderi
    10 September 2016 - 23:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    ”Në, një telefonatë e z. Bujar Hudhri më përcolli urimet më të përzemërta nga gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare pasi kishte ndjekur shfaqjen “Kush e solli Doruntinën” në transmetim televiziv nga Digitalb, më dha një kënaqësi të veçantë, të cilën dua ta ndaj me ju dhe njëkohësisht të falenderoj ikonën e skenës dhe ekranit Znj. Margarita Xhepa, patriarkun Bujar Lako, profesorin me energji djaloshare Viktor Zhusti, Doruntinën Luli Hoxha dhe trupën e mrekullueshme që ka Teatri Aleksandër Moisi nën drejtimin e z. Bashkim Hoxha që më krijuan mundësinë të realizoj këtë shfaqje!”, shkruan në profilin e tij në Facebook regjisori Vasili.

    “Kush e solli Doruntinën” rivinte në skenën shqiptare pas dramatizimit të bërë vite më parë nga regjisori Pirro Mani. “Vepra e Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” më ka intriguar jashtëzakonisht shumë që në adoleshencën time, ndërsa ky është një projekt që unë kam pothuajse rreth 7 vjet që dua ta sjell në skenë”, do të shprehej ai.

    Kjo vepër riktheu në skenë emra të njohur të teatrit si Margarita Xhepa . Ajo u rikthye sërish në rolin e zonjës Mëmë, një rol që e kishte bërë kur ishte e re nën regjinë e Pirro Manit. Në skenë u ngjitën me këtë pjesë dhe aktorët Bujar Lako dhe Viktor Zhusti dy emra të dashur për publikun.

    Në role të tjera në intepretuan aktorët Luli Hoxha, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Eralda Caushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia, Xhejni Fama. “ Vepra më ka intriguar jashtëzakonisht shumë, sepse ajo që bën Kadare në roman, merret me atë që ndodh përtej legjendës. Pra pasi ka mbaruar legjenda atë që kemi mësuar që të gjithë në shkolla si fëmijë “një në prag, e një në derë plasën si qelqet me verë”, pikërisht që aty fillon romani i Kadaresë.

    Dhe përse tani? Sepse ajo që u kërkua nga principata e Arbrit në kohën që vendoset legjenda, ishte një vlerë e re morale, një kult i ri, dhe aty lind besa, e cila është mbi dallimet fetare, mbi ngjyrat politike, pra është një kult që bashkon gjithë shqiptarët, të gjitha trojet. Gjithashtu unë jam shprehur dhe në intervistat e mia, që festa kombëtare shqiptare duhet të ishte 2 marsi i vitit 1444, që është Besëlidhja e Lezhës, ku për herë të parë u themelua principata e Arbrit duke bashkuar gjithë kontetë.

    Pra miniprincipatat autonome u bashkuan dhe formuan Besëlidhjen e Lezhës. Nga kjo unë marr një shtysë shumë të fortë, dhe sidomos për gjendjen ku gjendet shoqëria shqiptare sot, e cila është ndarë në dy grupime politike, apo në 3 grupime.

    Lufta e jashtëzakonshme për pushtet, nënshtrimi i popullsisë ndaj një udhëheqje apo një tjetër, dhe mendoj që është momenti që shoqëria shqiptare të bashkohet tek ajo që ndodhi me shoqërinë gjermane më 1989, ku u bashkuan nën moton: një gjuhë, një komb, një shtet. Për shqiptarët më duket se është çasti të bashkohen nën këtë kult: një gjuhë, një komb, një shtet.

    Dhe më mirë se besa e Kostandinit këtë nuk mund ta bëjë dikush tjetër”, do të shprehej Vasili para se vepra të ngjitej në skenë. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark