Kadri Veseli ndan 18 mijë euro për shërimin e Xhavit Halitit jashtë vendit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kadri Veseli ndan 18 mijë euro për shërimin e Xhavit Halitit jashtë vendit

    Insajderi
    18 November 2016 - 11:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me vendim personal dhe pa mbështetje ligjore ia ka ndarë 18 mijë euro nga paratë e taksapaguesve bashkë partiakut, njëherësh nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti.

    Këto mjete, mësohet se i janë dhënë për trajtim mjekësor jashtë vendit, përkundër faktit se Kuvendi nuk ka një linjë zyrtare buxhetore për raste të tilla të deputetëve.

    E vetmja rrugë ligjore është ajo përmes Ministrisë së Shëndetësisë, e cila përkrah qytetarët që nuk kanë mundësi ti mbulojnë shpenzimet për shërim jashtë vendit.

    Mirëpo ky nuk del të jetë rasti edhe për nënkryetarin e Kuvendit, i cili në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se posedon pasuri të majme.

    Haliti ka 110 mijë euro para të gatshme në bankë, 30 mijë euro të hyra vjetore nga Kuvendi dhe është aksionarë në dy kompani private.

    foto 2 haliti

    E pavarësisht kësaj, kolegët e tij dhe ata që e monitorojnë punën e legjislativit thonë se deputeti Haliti u ndihmua financiarisht, ani pse qindra rasteve tjera të qytetarëve në nevojë presin në listë.

    Ndarja e 18 mijë eurove joligjore

    Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të raportit të fundi të Kuvendit, ku thuhet se shuma prej 18 mijë eurove është futur tek kategoria e subvencioneve, praktikë kjo e pazakontë për Kuvendin dhe e pambështetur ligjërisht.

    Aty nuk sqarohet se për çfarë arsye i janë ndarë këto mjete Halitit.

    foto 1 haliti

    Mirëpo anëtarja e Kryesisë se Kuvendit, Aida Dërguti, për Gazetën Fjala, ka sqaruar se është në dijeni për këtë rast.

    Sipas saj, këto para Halitit i janë ndarë për trajtim mjekësor jashtë vendit, megjithatë mohon se ka pasur një vendim të kryesisë për këtë punë.

    Vendimi thotë Dërguti është kryekëput i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

    “Sipas dokumenteve zyrtare subvencioni për intervenim kirurgjik jashtë shtetit i është ndarë kolegut tonë Xhavit Halitit me vendim të kryetarit Kadri Veseli. Një vendim i tillë nuk është marrë në kryesi”, ka thënë Derguti për Gazetën Fjala.

    Aida Derguti ka pranuar se një vendim i tillë nuk ka mbështetje ligjore, porse është bërë edhe në të kaluarën, në raste kur ka pasur nevojë për trajtim mjekësor të ndonjë deputeti.

    “Meqë nuk ka mbështetje ligjore ky vendim është futur tek kategoria e subvencioneve”, ka thënë Dërguti.

    E vetmja mundësi ligjore për këso rastesh është ajo përmes Ministrisë se Shëndetësisë, ku ekziston linjë e veçantë buxhetore, ku mund të kenë qasje të gjithë qytetarët që kanë nevojë.

    Albert Krasniqi nga KDI thotë se as rasti i Halitit apo kujtdo tjetër nuk do të duhej të bëjë përjashtim nga kjo rregull.

    “Normalisht një gjë e tillë nuk ish dashtë me ndodh, pasi ka institucione, si Ministria e Shëndetësisë që e ka një buxhet të veçantë për trajtim të pacientëve jashtë vendit nëse këto nevoja nuk mund të mbulohen nga institucionet shëndetësore në vend”, thotë Krasniqi.

    Sipas Krasniqit, edhe deputetët, sikur çdo qytetar, duhet t’iu nënshtrohen këtyre rregullave.

    Kuvendi fsheh vendimin për Halitin

    Gazeta Fjala ka kërkuar një kopje të këtij vendimi, për një javë rresht nga Kuvendi dhe kabineti i krye kuvendarit, por të dyja palët, nuk kanë pranuar ta bëjnë publik.

    Ndërkohë të gjitha vendimet që i merr kryetari dhe kryesia e Kuvendit duhet të publikohen në faqen zyrtare të Kuvendit. Aty figurojnë të gjitha vendimet varësisht prej kohë kur janë marrë, por jo edhe ai për Halitin.

    Një vendim i tillë për subvencionim nuk përmendet fare as në procesverbalet e Kryesisë së Kuvendit, ndërkohë që aty figurojnë të gjitha vendimet për subvencionet tjera të ndara gjatë gjashtë mujorit të këtij viti.

    I kontaktuar disa herë nga Gazeta, sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi, nuk ka pranuar të jap detaje, duke aluduar se kjo është punë e kryesisë.

    “Ne e kemi zbatuar vendimin e kryesisë”, ka thënë shkurt për këtë rast, Krasniqi.

    Kur Gazeta ka kërkuar një kopje të vendimit, Krasniqi ka thënë se fillimisht do të konsultohet me kabinetin e krye kuvendarit. Por pas kësaj telefoni i tij ka qenë i pa qasshëm.

    Gazeta ka kontaktuar edhe Xhavit Halitin. Telefoni i tij personal dhe ai në zyrë ka qenë i pa qasshëm./Gazeta Fjala/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark