Mbyllja e hotelit Victory, i cili për rreth 17 vite ka qenë i uzurpuar nga një ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka gëzuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDK-së.
“E përshëndes veprimin e organeve të rendit dhe ligjit për lirimin e pronave të uzurpuara. Më vjen mirë që kërkesa ime publike për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të uzurpatorëve të pronave është duke u bërë realitet”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në Facebook, vetëm pak orë pas aksionit të policisë.
“Në Kosovë prona është e shenjtë, ligji vepron njësoj për të gjithë dhe qytetarët meritojnë të jetojnë në prosperitet dhe dinjitet”, ka shtuar ai.
Policia e Kosovës ka arritur të kthejë nën administrimin e AKP-së hotelin Victory që ishte mbajtur për 17 vite i uzurpuar nga Bedri Selmani, ish-zyrtar i lartë i PDK-së./Insajderi.com