
Moldavia, Franca, Belgjika e Italia, janë vetëm disa nga shtetet në të cilat Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, i ka shpenzuar mbi 9 mijë euro, para të taksapaguesve, për bileta, akomodim dhe mëditje nga shtatori deri në fund të dhjetorit 2015.
Në raportin e shpenzimeve të Kuvendit, të cilin e posedon Gazeta Fjala, shihet se Haliti në disa raste ka paguar nga afro 2000 euro për akomodim, për të cilat nuk ka sqarime se në cilat shtete ka qëndruar.
Shpesh ai ka udhëtuar edhe me dy kolegët e tij deputet, Sabri Hamitin, e Sllobodan Petroviçin, me të cilët ka shpenzuar 5 mijë euro.
Kështu Haliti ia ka kaluar edhe shefit të tij, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për nga shpenzimet e udhëtimeve që në total të gjithë deputetët në tre mujorin e fundit kanë shpenzuar 40 mijë euro.
Por, edhe pse i lënë mbrapa në udhëtime e mëditje, Kadri Veseli, prinë për shpenzime në dreka zyrtare, shkruan Gazeta Fjala.
Në raport shihet se ai më së shumti e pëlqen restorantin “Liburnia”, ku e ka bërë pjesën më të madhe të shpenzimeve. Në këtë restorant për tre muaj Veseli ka shtruar dreka në vlerë 885 euro.
Por, drekën më të shtrenjtë e ka ngrënë në Restaurant “Puro”, e që i ka kushtuar 307 euro.
Ndërkaq, të gjithë deputetët gjatë kësaj periudhe kanë paguar me para të buxhetit 20 mijë euro dreka zyrtare.
Shpenzimi më i madh është bërë në byfen e Kuvendit të Kosovës e cila menaxhohet nga restaurant “Shqiponja”. Ushqimi në këtë vend u kushtoi 13 mijë euro. (Gazeta Fjala)