
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka komentuar dështimin e 26-të me radhë për konstituimin e Kuvendit, duke ndarë një bisedë me bashkëpartiakun e saj, Daut Haradinaj.
Përmes një postimi në Facebook, Kadriaj ka bërë të ditur se para seancës së sotme kishte qëndruar në një kafene ku kishte biseduar me Haradinajn, duke e cituar këtë të fundit me një koment thumbues ndaj kryeministrit në largim, Albin Kurti.
“Edhe sot për të 26-tën herë seriali vazhdon. Dauti, po thotë se për Kurtin ma e rëndësishme është Albulena se zhbllokimi i Kuvendit,” ka shkruar Kadriaj.
Ajo shtoi se opozita kishte treguar “gjenerozitet” duke propozuar dy gra deputete për zgjidhjen e bllokadës, por sipas saj, as kjo nuk ka mjaftuar që Kurti të ndryshojë qëndrim.
“Ne u treguam shumë gjenerozë me propozimin e dy femrave deputete, por as kjo nuk vlejti për Kurtin,” tha Kadriaj.
Ajo kritikoi qeverinë për krizën energjetike dhe faturat e larta të rrymës, duke e quajtur situatën “mafi të bardhë energjetike” që po rëndon mbi qytetarët.
“Me rëndësi faturat e rrymës po ju shkojnë qytetarëve të stërlodhur, nga kjo mafi e bardhë energjetike”./Insajderi