Fiks në orën 16:44 të së mërkurës, në terminalin e Prizrenit, të ngurthuara në maune,70 krerë lopë e dema dhe gjedhe, sapo ishin importuar nga Rumania në Kosovë.
Të gjithë 70 krerë kafshësh ishin të destinuara për therje, por së paku dy nga to kanë ngordhur ende pa arritur në destinacionin ku epilogu do të ishte përsëri i njëjtë, therja.
“DUD-i” quhet emri i kompanisë importuese të kafshëve, që la të bllokuara në terminal doganor 70 krerë lopësh pa asnjë përkujdesje.
Kafshët kanë qëndruar në ato maune në gjendje të njëjtë për 4 korrikut kur zyrtarisht janë nisur nga Rumania për në Kosovë.
Dogana e Kosovës megjithatë nuk ka sqaruar nëse maunet me lopë janë marrë nga kompania apo janë ende në terminal. Por gjendja në të cilën janë duke qëndruar është e tmerrshme.
Importuesi ka deklaruar:
Gjedhe – Lope për therje / 12 cope – pesha – 4280 kg
Gjedhe – Dema me peshe mbi 300 kg për therje 16 cope. – pesha 6345.00 kg
Gjedhe për therje me peshe mbi 160kg deri 300 kg sasia 42 cope – pesha 7525.00 kg.
Këto të dhëna, u bënë publike pasi një qytetar xhiroi maunet në të cilat dëgjohet duke u konfirmuar ngordhja e dy prej tyre, dhe britmat e lopëve dhe gjedheve të cilat janë të ngujura në gjendje të mjerë. Këto pamje i publikoi “Lajmi.net”, dhe Dogana në reagimin e tyre ka zbuluar edhe një fakt tjetër tronditës.
“Gjatë kontrollimit të dokumentacionit – specifikacionit dhe numrit të matrikullës shihen se ka gjedhe- vjeta të lindur me 01 qershor 2016 dhe është e pa mundur qe një viç për një muaj te kaloi peshën mbi 160 kg”, ka sqaruar Dogana e Kosovës.
Andaj edhe dyshimet e Doganës, se importuesi po barte më shumë krerë lopësh dhe gjedhes, bënë që ai të ndalet në terminal duke i kërkuar “të sjellë ndonjë maune tjetër që të mund të bëjmë shikimin e mallit dhe identifikojmë saktësinë e paraqitjes se drejt te mallit”.
“ Importuesi ka refuzuar bashkëpunimin”, thuhet në sqarimin e Doganës së Kosovës, raporton Insajderi.
Sipas Doganës së Kosovës, fajin për ngordhjen e tyre e ka kompania, pasi ajo është dashur të sigurojë kushte për kafshët që ka importuar edhe gjatë kohës kur ka qenë në ndalje si pasojë e dyshimeve për kundërvajtje pikërisht për faktin e mashtrimit me llojet e gjedheve, andaj ushtrohet kontroll strikte në secilin import të tyre.
“Transporti i mallrave nuk është përgjegjësi e Doganës por përgjegjësie e importuesit. Dogana të vetmen kërkesë ndaj importuesve e ka deklarimin e saktë të sasisë dhe vlerës së mallrave ashtu që të mos dëmtohet buxheti i Kosovës nga nën deklarimi i peshës dhe vlerave”, thuhet në sqarimin e Doganës së Kosovës.
Megjithatë ata nuk kanë sqaruar nëse maunet me kafshët brenda janë tashmë në gjendje të rregullt dhe nëse kompania importuese ka dalë mashtruese apo jo./Insajderic.com