Seria e shkrimeve “Dosja e Shefave” të autorit, Vehbi Kajtazi, është shpërblyer si Storia më e Mirë Online për Gazetari Kundër Korrupsionit.
Këtë çmim, Kajtazi e ka pranuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për storiet më të mira gazetareske kundër-korrupsionit, të organizuar sot nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Përveç kategorisë “online”, janë ndarë edhe çmimet për Storien më të Mirë të Gazetarisë në kategoritë: Shtyp, TV dhe radio.
Çmimin për tregimin më të mirë të gazetarisë në kategorinë ‘Shtyp’ e ka fituar, Saranda Ramaj nga gazeta “Koha Ditore”, ndërsa me çmimin për Storien më të Mirë Televizive është shpërblyer Behar Mustafa, nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN.
Për Storien më të Mirë në Radio është shpërblyer “Radio Kosova”, raporton Insajderi.
Seria e shkrimeve “Dosja e Shefave” të publikuara nga Kajtazi ka filluar më 1 gusht të këtij viti, ndërsa ka përfunduar më 3 shtator.
Përmes disa bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, “Dosja e Shefave” ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet.
“Dosja e Shefave” përmban plot 28 seri të përgjimeve telefonike të Adem Grabovcit me njerëz të PDK-së dhe të afërt me këtë parti. /Insajderi.com